Kodheli: Po vonohet qëllimisht numërimi

09/05/2011 21:40

Zëdhënësja e fushatës elektorale të PS, Mimi Kodheli ka denoncuar vonesat e qëllimshme që sipas saj janë orkestruar nga koalicioni i djathtë për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve.

“PS dënon dhe denoncon vonesat e qëllimshme në proceset e numërimit në KZAZ-të e Tiranës. Ka pasur probleme, ndërprerje të pajustifikuara, që janë pjesë e një strategjie të turpshme të koalicionit të turpit për të deformuar rezultatin”, ka deklaruar Kodheli.

Sipas saj, komisionerët e djathtë po sabotojnë procesin në mënyrë të qëllimshme për të deformuar një rezultat që tashme flet në favor të PS.

“Kanë kaluar afatet ligjore dhe vetëm një përqindje shumë e vogël e qendrave të votimit janë numëruar. Kjo është një përsëritje e vlerësimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2009, që tha se, numërimi ishte i keq ose shumë i keq”, ka pohuar Kodheli.

“Këto janë tentativa të Berishës që synon të dekurajojë mbështetësit e opozitës dhe për të mashtruar publikun se kundërshtari politik po ngushton diferencën e udhëhequr nga Rama”, ka vijuar ajo, duke hedhur akuza edhe ndaj kryetarit të KQZ, Arben Ristani.

“KQZ po publikon rezultate të deformuara që favorizojnë kandidatin humbës të bashkisë së Tiranës”, është shprehur Kodheli.

Ajo ka nënvizuar se Berisha po vonon procesin e numërimit, në mënyrë që të shtyjë publikimin e rezultateve pas largimit të vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Qëllimi final i Berishës është që të bllokojë numërimin deri në largimin e vëzhguesve afatshkurtër të ODIHR, që largohen të mërkurën, me shpresën se mund të manipulojë procesin pa praninë e tyre. E ka të kotë, PS ka fituar bindshëm në Tiranë dhe në pjesën dërmuese të Shqipërisë”, ka theksuar Kodheli.

Në emër të opozitës, ajo i ka kërkuar misionit të ODIHR-it që të zgjasë misionin e vëzhguesve afatshkurtër, “për të mos lejuar deformimin e këtij procesi zgjedhor, që është më i dështuari”.

Top Channel