Burrel, Farici: Do t’u rikthej qytetarëve bashkinë

09/05/2011 23:30

Kryetarja e sapozgjedhur e Bashkisë së Burrelit, Adelina Farici, e ftuar në studion e Top Channel, foli për rrjedhën e karrierës politike të saj.

Zonja Farici tregoi rrugën e saj që nga aderimi në vitin 2004 në strukturat e Partisë Socialiste.

Farici tha se fitorja e saj ishte rrjedhë logjike, duke patur parasysh karrierën e saj politike si kryetare e degës së Partisë Socialiste në Burrel.

“Erdha në një rrjedhë logjike në pozicionin ku jam aktualisht. Nga 2004 aderoj në PS, kam drejtuar fushata të tjera, kam nxjerrë deputetë dhe kjo ishte radha që qytetarët e Burrelit të më besojnë mua, më besuan dhe më votuan. Ka ardhur një moment kur nuk mund të themi më ky është bastioni i Partisë Socialiste dhe ky është bastioni i Partisë Demokratike. Elektorati militant ka nisur të ngushtohet, është rritur elektorati që vendos sipas programeve”, tha Farici.

Kryetarja e sapozgjedhur e Bashkisë së Burrelit tha se në ditën e parë të punës do t’i rikthejë qytetarëve bashkinë.

“Bashkia do t’u kthehet qytetarëve, administrata do të shërbejë nëpër zyrat e bashkisë dhe jo nëpër kafenetë”, deklaroi Farici.

Top Channel