Obama viziton Ground Zero

05/05/2011 19:30

Presidenti amerikan Barack Obama po viziton Ground Zero, vendin e sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, katër ditë pasi trupat amerikane vranë liderin e Al Kaedës, Osama bin Laden në Pakistan.

Presidenti Obama vendosi një kurorë me lule në kujtim të rreth 3 mijë viktimave dhe foli para të afërmve të tyre, të mbledhurve dhe zjarrfikësve që 10 vjet më parë luajtën një rol kyc gjatë tragjedisë.

“Kur ne themi se nuk do të harrojmë kurrë, e themi seriozisht”, ka deklaruar shefi i Shtëpisë së Bardhë gjatë fjalimit të tij.

Vizita vjen një ditë pasi ai tha se fotografitë e trupit të Bin Laden, i dyshuar si truri i sulmeve të 11 shtatorit, nuk do të publikohen.

Lideri i Al Kaedës u vra nga njësitë speciale amerikane në veri të Pakistanit ditën e hënë. Më pas, trupi i tij u varros në det nga një anije luftarake amerikane.

Ushtria pakistaneze pranoi sot “të metat” e saj për lokalizimin e sheikut të terrorit, por tha se lidhur me këtë cështje do të zhvillojë një hetim.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se do të rishikojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara nëse në Pakistan do të ketë operacione të tjera të njëanshme si ai për Bin Laden.

Top Channel