KAH: Zgjedhjet 2011, vendimtare

05/05/2011 23:10

Komiteti Amerikan i Helsinkit u bëri thirrje autoriteteve shqiptare dhe të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet vendore të 8 Majit, të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar se procesi zgjedhor do të realizohet në përputhje me angazhimet dhe normat e OSBE-së.

Në një deklaratë të tij, kryetari i këtij Komiteti, Kris Smith, tha se “tani që mbeten pak ditë nga votimet, është e nevojshme që të ketë transparencë maksimale lidhur me këto zgjedhje si dhe një angazhim të shprehur nga ana e zyrtarëve zgjedhorë për një proces të lirë dhe të drejtë”.

Votuesit, sipas zotit Smith, duhet ta dinë se vendimi i tyre në kutinë e votimit do të respektohet dhe do të numërohet. Sidomos në Shqipëri, është shprehur ai, votuesit meritojnë të dinë se pas dy dekada zgjedhjesh që nuk i plotësuan standardet demokratike, ky vit do të jetë ndryshe.

“2011-ta duhet të jetë një pikë kthese ku të mbizotërojnë parimet demokratike dhe ku njerëzit të kenë besim të vërtetë në saktësinë e rezultatit të zgjedhjeve”, thote kreu i Komitetit Amerikan të Helsinkit, që ka shprehur gjithashtu shqetësim përsa i takon incidenteve të dhunës gjatë fushatës zgjedhore.

Zëri i Amerikës citon edhe anëtarin e  Dhomës së Përfaqësuesve, Robert Aderholt, njëkohësisht pjesëtar i komitetit në fjalë i cili e ka vizituar disa herë Shqipërinë në të kaluarën, të thotë se shpreson që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe të pasqyrojnë vullnetin e popullit. 

Top Channel