Grupi i Kontaktit, fond për rebelët në Libi

05/05/2011 17:50

Grupi i Kontaktit për Libinë ka rënë dakord për të krijuar një fond të përkohshëm për të mbështetur grupet e rebelëve.

Gjatë takimit të zhvilluar në Romë, ministri i Jashtëm francez Alain Juppe ka deklaruar se fondi do të jetë operativ brenda pak javësh.

Grupi i vendeve të NATO-s, shtetet arabe dhe vende të tjera po diskutojnë mbi mënyrat për të rritur presionin ndaj kolonelit Muammar Gaddafi.

Duke folur nga Roma, ministri i Jashtëm italian Franco Frattini ka deklaruar se krijimi i një mekanizmi të ri financiar do të mundësojë që fondet të kalojnë me efikasitet dhe transparencë tek rebelët.

Shefi i diplomacisë italiane ka shtuar se detaje të tjera mbi marrëveshjen e arritur do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme.

Ndërkohë, nga fronti i luftës raportohet se një anije është evakuar në portin e Misratës dhe se avionët e NATO-s kanë shkatërruar dy helikopterë të kolonelit.

Top Channel