Të konvertuar të shekullit të ri

04/05/2011 19:30

Besimi është çështje personale, në botën e qytetëruar, pjesë e së cilës është bërë edhe Shqipëria, ku gjithësecili mund të bëjë zgjedhjen e vet.

Dikur një vend me besim të refuzuar, sot i lirë në mendim dhe fe, besimi shikohet si orientim i shpirtit për të shpëtuar “trupin” nga mëkati, në mungesë të fuqisë për të shëruar vetveten. Në këtë kontekst, pagëzimi në fenë e krishterë dhe konvertimi në besimin islam është një fenomen i zakonshëm. Pa mundur të sigurojmë statistika se si ka ecur kjo dukuri, rastet janë ato që na bëjnë të mendojmë se çfarë i shtyn njerëzit të ndryshojnë fe.

Është figurë e njohur për publikun shqiptar. Quhet Rudina Dombacaj, një vajzë e rritur me frymë myslimane, por në fëmijërinë e hershme të saj, frekuentonte objektet katolike, një lojë fëmijësh që e shtyu më pas të mendonte më gjatë për përkatësinë e fesë së saj.

“Kur isha e vogël shkoja me shokët dhe shoqet e lagjes në kishë dhe babi, për të marrë si të thuash një bekim nga gjyshja ime, i tha ‘Rudina shkon në kishë, a ta lejoj’, duke qenë se gjyshja ishte shumë besimtare dhe ajo tha ‘nuk ka problem, vetëm të besoj diku’”, tregon Rudina.

E papenguar nga njerëzit e saj, me orentimin e ri për “frymën e shenjtë”, Rudina vendosi të pagëzohej, një proçes, që në filozofinë e saj prej katolikeje, simbolizon larje dhe pastrim. Emri i dytë, ai i krishteri, Elizabetë, me këtë emër e njohin shumë pak, të fundit ishin ne të “Pasdites në Top Channel”.

“Nga mosha 19 vjeç vendosa që t’i çojë këto rite deri në fund dhe të pagëzohem katolike. Për këtë sërish i kërkova leje prindërve të mi. Babi ishte absolutisht i gatshëm, gjithashtu mund të pagëzohesh dhe ne do të jemi të pranishëm dhe ashtu ndodhi. Nëna ime ishte hera e parë që hynte në kishë, në ditën që unë u pagëzova”, thotë Rudina.

Pagëzimi është një prej mjeteve të shelbimit, i themeluar nga Krishti, ky proçes në shkrimet e shenjta konsiderohet aq i domosdoshëm, aq sa pa pagëzim nuk ka shelbim. Në rrugën e “studimit” të shkrimeve të shenjta, katolikja e re e kohëve moderne, ka patur dilema dhe pasiguri për zgjedhjen.

“Kam patur tundime dhe pikepyetje, por i kam kapërcuar ato duke lexuar mbi fenë dhe duke iu lutur Zotit tim që të kem bërë zgjedhjen e duhur. I kapërceva me shumë sukses dhe jam edhe sot shumë e lumtur që jam pjesë e besimit katolik, respektoj jashtëzakonisht shumë edhe besimin mysliman pasi i kam njerëzit e mi që janë të gjithë mysliman”, shprehet Rudina.

Historiani Dritan Egro, i nisur nga konteksti historik, çështjen e pagëzimit, apo të konvertimit në islam, e shikon si një “prirje personale”, jo si orientim mbarë-shoqëror.

“Konvertimi fetar është një zgjedhje dhe kjo zgjedhje në një botë të lirë mbetet një zgjedhje e lirë, kështu që jam i bindur se aq sa ka konvertime nga Islami në fetë e tjera, po edhe anasjelltas, pasi kjo është një zgjedhje e një individi në kushte të caktuara, ashtu si çdo zgjedhje tjetër që secili bën në jetën e tij. Nuk duhet konsideruar si një akt anormal”, thotë Dritani.

Islami është feja e vetme monoteiste, që pranon ekzistencën e komuniteteve jomyslimane, edhe brenda territoreve ku shteti islamik vendos sundimin e vet. Në realitetin e sotëm, prezenca e shumë komuniteteve ortodokse dhe katolike në Ballkan, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, shpjegon këtë fakt, pavarësisht se shtetet përbërëse të tij jetuan 500 vjet me rradhë nën sundimin e një shteti islam.

Askush s’do ta besonte që Ana Beqo, është rritur në familje ortodokse, me  ikonat e kishave dhe vezët e pashkëve. E pagëzuar në Athinë në moshën 10 vjeçare, sot ajo është kthyer në një “myslimane e devotshme” dhe shpeshherë e gjejmë në xhami, duke u lutur. Një ish-studente shumë e mirë e administrim-biznesit, sot i bashkohet komunitetit te saj, duke shoqëruar çdo “misionar”, në çdo cep të tokës.

“Unë jam rritur në një familje ortodokse dhe konvertimi im ka qenë shumë i natyrshëm. Po shikoja rrethin që më rrethonte, ishin të gjithë myslimanë praktikantë dhe shikoja se çfarë morali kishin, se çfarë paqeje kishin dhe se si këshillonin për mirë. Të ndalonin nga e keqja, këshillonin për durim. Thash këtu duhet të ketë diçka, nuk do jetë aq keq saç thonë”, shprehet Ana.

Pasi filloi studimin e Kuranit, kuptoi se ju rrit besimi, në etjen e saj për të kuptuar, rizbuloi gjëra nga ajo që Ana e quan “legjislacion” të librit të shenjtë. Aktualisht punon në një nga bankat e kryeqytetit, IT kontrolli, e arsimuar në Qipro, asgjë nuk duket e çuditshme në jetën e saj të re.

“Një ditë ngrihem dhe them, sot duhet të bëhem myslimane dhe të bëhesh e tillë është shumë e thjeshtë, me lejen e Zotit, mjafton të dëshmosh se Zoti është një. Ajo që më pëlqen më shumë tek kjo fe është se ne i besojmë dhe pranojmë të gjithë librat e Zotit”, tregon Ana.

Dhe nga ajo ditë kanë kaluar dy vjet, Ana sot mban të veshur ixhabin dhe shaminë, një uniformë që tregon përkatësi, një lloj të veçantë të ushtruari besimi.

“Kur ka konvertime të tilla brenda familjeve duhet të ketë arsye shumë të forta individi që ta bëj një gjë të tillë dhe në këto raste për të ruajtur ekuilibrat brenda familjes dhe shoqërisë, ajo kthehem në një nga mbrojtësit më të fortë të fesë së re. Kjo sepse do të balancojë rivalitetin shoqëror, apo familjar të sajin. Kjo është një ligjësi që ndodh edhe në krahun tjetër”, thekson Dritani.

Pavarësisht rasteve të paraqitura, ende nuk janë zbuluar shkaqet e konvertimit të shqiptarëve. Ajo që pritet të shpjegojë fenomenin 500 vjeçar është përgjigja që do t`i jepet pyetjes: A janë shqiptarët fanatikë të një doktrine fetare apo e përdorin faktorin fetar “si një instrument për të siguruar ekzistencën e tyre”?

Top Channel