Takimi i ministrave të NATO-s përfundoi pa një angazhim konkret për të dërguar më shumë avionë luftarakë në Libi.
Në konferencën e Berlinit, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmusen tha se kjo mund të ndodhë në të ardhmen.
“Kemi disa shenja se vendet anëtare do të japin c’është e nevojshme, por kjo nuk është një konferencë premtimesh, kësisoj shpresoj se do t’i kemi burimet e nevojshme në të ardhmen e afërt”, tha Rasmusen.
As Shtetet e Bashkuara dhe as Italia nuk do t’i përgjigjen thirrjeve për t’iu bashkuar sulmeve në terren. Roma ka vënë në dispozicion bazat ajrore për trupat e Aleancës dhe 8 avionë gjurmues e zbulues.
“Linja që po ndjek Italia është ajo e duhura dhe nuk mendojmë të ndryshojmë qëndrimin tonë për sulmet ushtarake në Libi”, deklaroi Ministri italian i Mbrojtjes, La Rusa.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se NATO po shkon përtej mandatit të OKB-së dhe apeloi për një ndryshim të politikës së saj, ndërsa Franca, Britania dhe SHBA dolën me një deklaratë të përbashkët ku thuhej se siguria e civilëve në Libi mund të arrihet vetëm me largimin e Gedafit.
Vetëm 6 nga 28 vendet anëtare të NATO-s kontriubuojnë në operacionet luftarake në Libi.
Top Channel