Gërdeci, 3 shtyrje në javë

15/04/2011 16:00

Megjithëse Gjykata e Tiranës u duk se e gjeti zgjidhjen për shpejtimin e proçesit “Gërdeci”, duke shtuar në axhendën e saj zhvillimin e gjyqit tre herë në javë, zvarritja e seancave vazhdon të mbetet një problem. (UPDATE)

Këtë të premte proçesi zgjati 15 minuta, kohë e cila ju desh gjyqtarit për të bërë apelin e palëve e më pas për të deklaruar shtyrjen e gjyqit për javën e ardhshme.

Ndodh e njëjta gjë. Dikush prej avokatëve mungon, siç raportohet për arsye shëndetësore dhe proçesi shtyhet. Por ndërsa aktorët e këtij proçesi lënë sallën për t’iu drejtuar një tjetër seance, ata që e përjetojnë ndryshe këtë zvarritje dramatike të proçesit gjyqësor janë ata që ndjejnë ende dhembje për viktimat e tragjedisë së Gërdecit.

TCH: Pse qave kur mbaroi gjyqi?

Nëna e Erison Durdës: “Qava se kjo është fyerje, është tallje me ne. Kjo është të llahtarisesh jo të qash, shteti jonë, u raftë pika o Zot, o Zot sa duroke!”.

Kjo e premte ishte llogaritur për të dëgjuar dëshminë e Patrik Henrit, biznesmenti amerikan që drejtojnte kompaninë “Sac”.

Por Patrik Henri së bashku me tre dëshmitarë të tjerë amerikanë i janë përgjigjur me refuzim letërporosisë së gjykatës, e cila nuk dihet nëse në seancën e radhës do ta përsërisë apo jo kërkesën e saj, sigurisht nëse proçesi do zhvillohet.

Pas alarmit për zvarritjen e proçesit deri në dështim, i cili mbërriti deri në zyrën e presidentit të Republikës, gjykatësit vendosën të zhvillojnë tri seanca gjyqësore në javë, të cilat tashmë nuk janë gjë tjetër veçse tri shtyrje në javë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA