Topi: Shqipëria e angazhuar për në BE

14/04/2011 11:10

Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë fjalës së tij në forumin e 14-të ekonomik euroaziatik, organizuar nga fondacioni “Marmara” ka theksuar angazhimin e Shqipërisë për të qenë një anëtare e Bashkimit Evropian.

Sipas faqes së Presidencës, kreu i shtetit ka vënë në pahë zhvillimin ekonomik të vendit këto kohët e fundit dhe ka theksuar lehtësirat që ofron vendi ynë për investimet e huaja.

“Sot, Shqipëria është e angazhuar t’i bashkohet BE-së për të cilën ka një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit që prej vitit 2009. Shqipëria është anëtare e NATO-s, gjithashtu e OSBE-së, Bankës Botërore, FMN-së, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi”, tha Topi.

“Pas një periudhe stanjacioni të zhvillimit ekonomik, Shqipëria këto dhjetë vitet e fundit ka regjistruar një rritje ekonomike mesatare vjetore 6 për qind; ka një inflacion të shënjestruar në kufijtë 3 plus minus 1 për qind; ka një kurs këmbimi fleksibël; ka një rrjet bankar tregtar të zhvilluar, ku operojnë 16 banka private, me 511 degë në mbarë Shqipërinë dhe një rrjet sigurimesh, të gjitha këto pronësi tërësisht, ose pjesërisht të kapitalit të huaj”, theksoi ai.

“Vitet e fundit, një zhvillim i rëndësishëm që shënjestron investitorët, ka qenë Ligji mbi Koncesionet, i cili synon krijimin e një rrjeti të favorshëm për promovimin dhe lehtësimin e vënies në jetë të projekteve të financuara privatisht në zhvillimin e infrastrukturës dhe fushave të shërbimit publik”, shtoi kreu i shtetit.

Duke folur për situatën në rajon, Topi ka theksuar se Shqipëria është një faktor paqeje dhe stabiliteti.

“Aktualisht Republika e Shqipërisë është një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Vendi ynë, tashmë si një anëtar aktiv i Aleancës euroatlantike, ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë vendet fqinj të saj dhe në veçanti me ato vende ku shqiptarët janë ura solide të miqësisë, si në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi”, tha Topi.

“Tashmë vendet tona të Ballkanit Perëndimor kanë flakur tutje epitetin e përçmimit që kanë pasur në shekuj si “fuçi baruti”. Këto vende tani të ardhmen e tyre e shikojnë tek zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve miqësore dypalëshe e shumëpalëshe, si dhe tek integrimi euroatlantik, si rruga e vetme e sigurisë, paqes dhe përparimit të këtij rajoni”, theksoi ai.

Top Channel