Amnistia, taksat e makinave që falen

13/04/2011 08:25

Amnistia fiskale, e miratuar së fundmi nga qeveria parashikon faljen e detyrimeve të papaguara, jo vetëm për bizneset dhe individët në raport me taksat kombëtare, por edhe ato vendore, siç janë tarifat që paguhen një herë në vit për automjetet.

Arben Pinari, drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, tregon për “Shqip” se, “komisionit të ekonomisë i janë propozuar dy nene të reja në projektligjin e amnistisë, ku njëri fal detyrimet, kurse tjetri ‘fshin’ gjobat, për të dyja rastet deri më 31 dhjetor 2010”.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), institucion që mbulon regjistrimin e automjeteve, lëshimin e lejeve të drejtimit dhe administrimin e taksave, ka në “pronësi” të saj menaxhimin e rreth 390 mijë mjeteve të transportit. Të dhënat zyrtare nga kjo drejtori bëjnë të ditur se për vitin 2010, vetëm 250 mijë mjete transporti mundën t’i paguanin detyrimet, që janë taksa e qarkullimit rrugor dhe taksa e regjistrimit të përvitshëm. “Nga analiza që kemi bërë rezulton se amnistia prek të paktën 140 mjete transporti, të cilat janë në gjendje pasive, por që kanë detyrime për të paguar. Këto mjete qëndrojnë pezull dhe konsiderohen pengesë për çdo individ që i ka në pronësi në rast se kërkon të marrë shërbimet tona. Me amnistinë e propozuar, të gjitha detyrimet nga këto dy taksa fshihen, bashkë me gjobat, kurse individi mjafton të dorëzojë targën e mjetit”, – deklaron Pinari. Në bazë të disa llogaritjeve të bëra nga drejtoria, duke u mbështetur te detyrimi mesatar vjetor që i takon të paguajë individi, rezulton se amnistia çliron për këta 140 mijë drejtues automjetesh mbi 2 miliardë e 500 milionë lekë.

Dy llojet e taksave që paguhen një herë në vit nga drejtuesit e mjeteve të transportit janë taksa e qarkullimit vjetor (rreth 8 mijë lekë për automjetet) dhe taksa e regjistrimit të përvitshëm, që nis me 2400 lekë/vit. Për vitin 2010, rreth 250 mijë mjete transporti i kishin paguar detyrimet e tyre vjetore, si taksën e qarkullimit, ashtu dhe atë të regjistrimit të përvitshëm, duke i siguruar shtetit një të ardhur prej rreth 5 miliardë lekësh, ku peshën kryesore e mbart tarifa e qarkullimit. Megjithatë, drejtuesit e transportit rrugor kanë probleme dhe me gjobat që nuk derdhen rregullisht. Për vitin 2010, nga kjo drejtori u vendosën rreth 52 milionë lekë gjoba ndaj 27 mijë mjeteve të transportit rrugor. Gjobat vendosen për mungesën e kushteve teknike dhe nuk kanë lidhje me taksat e tjera, që janë objekt i policisë rrugore. Jo të gjitha gjobat e vendosura janë vjelë. Më shumë se gjysma e mjeteve të transportit i kanë paguar gjobat, pra rreth 15 mijë e 300, me vlerë rreth 27 milionë lekë. Në këtë rast, pjesa e mbetur amnistohet. Pinari tregon se ndryshimet e fundit ligjore e kanë çuar afatin e parashkrimit të gjobës, nga një në dy vjet. Brenda kësaj periudhe, detyrimet “fshihen” nga sistemi.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, nën presionin e opozitës pranoi që amnistia prekte edhe individin në raport me taksat që nuk ka paguar. Projekti i propozuar nga ministri nuk jepte shumë sqarime dhe për këtë shkak, Bode deklaroi hapur se, “ajo çfarë propozojmë përfshin faljen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga taksat lokale dhe kombëtare, që do të thotë se përfshihen edhe kategoritë e detyrimeve që rrjedhin për mjetet e transportit”.

Top Channel