Siri, policia “blindon” qytetin e Banias

11/04/2011 15:35

Forcat siriane të sigurisë patrullojnë rrugët e qytetit bregdetar të Banias, një natë pasi në protestat pro-demokratike, të paktën pesë qytetarë humbën jetën në përballjen me trupat autoritare.

Sipas raportimeve, dhuna në Banias, një prej dy qyteteve ku ndodhen rafineritë e mëdha të naftës, shpërtheu pasi antarë me uniformë të minoritetit alauit që qeveris vendin qëlluan ndaj banorëve me automatikë.

”Elektriciteti është ndërprerë që prej një dite dhe njerëzit janë shumë të frikësuar”, deklaroi për “Reuters” Anas al-Shugri, një prej liderave të protestuesve, nga Baniasi.

I përballur me një shkallë manifestimesh të paprecedenta, presidenti Assad i ka konsideruar protestat si pjesë e një komploti ndërkombëtar për t’a rrëzuar nga pushteti.

Babai i tij, presidenti Hafez al-Assad, përdori një gjuhë të ngjashme kur protestat me karakter fetar shpërthyen në vend në vitet 1980, ndërsa disa mijëra qytetarë u vranë atëherë.

Presidenti Bashar al-Assad dhe klika drejtuese e regjimit janë pjesë e pakicës alauite, e cila zë vetëm 10% të vendit me 22 milionë banorë.

Megjithatë, karakteri kryesor i protestave nuk është ai fetar, ndërsa qindra mijëra sirianë kërkojnë në rrugët e qyteteve kryesore më shumë liri demokratike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Besohet se që prej fillimit të protestave, mbi 170 persona kanë mbetur të vrarë në Siri.

Top Channel