Fier, vetëvritet djali i Faik Myrtaj

11/04/2011 20:00

Në një kodër pranë banesës së tij, në fshatin Kreshpan të Fierit, është gjetur trupi i pajetë i 22-vjecarit Bardhosh Myrtaj. (UPDATE)

Ai ka qëlluar veten në anën e djathtë të kokës, me një pistoletë e cila u gjend në vendin e ngjarjes së bashku me një motor, me të cilin i riu udhëtonte.

Bardhosh Myrtaj është djali i Faik Myrtajt, një prej katër viktimave të protestës së 21 janarit.

Mesditën e sotme ai kishte njoftuar në telefon të afërmit e tij që të shkonin të merrnin motorin në vendin ku ai ndodhej e më pas, ai është gjetur pa jetë.

Djali i madh i Faik Myrtajt e ka përjetuar shumë rëndë humbjen e babait të tij dhe prej kësaj ngjarjeje ishte mbyllur në vetvete dhe sipas atyre që e njihnin, kishte rënë në depresion.

Në faqen e tij në rrjetin social FB, profil të cilin i riu e kishte hapur në ditët e para të muajit mars, shkruante se ishte tip jo i hapur.

Një ditë para ngjarjes së rëndë, i riu shkruan këto fjalë: “cdo gjë është e mirë në këtë botë, por kur humbet të ngushtohen rrugët”.

Dhe vetëm dy orë para ngjarjes, ai shkruan nxitimthi dhe me gabime: “nëse ke zgjedhur rrugën tënde, atëherë zgjidh më të mirën se unë fitova llotarinë”.

Babai i 22-vjecarit, Faik Myrtaj, humbi jetën i qëlluar nga një plumb gjatë protestës së opozitës më 21 janar të këtij viti, para kryeministrisë. Vrasja e tij ka tronditur rëndë familjen, Faik Myrtaj ishte baba i tre fëmijëve.

Drejtoria e policisë së Fierit konfirmon vetëvrasjen e 22-vjecarit Myrtaj, duke thënë se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Antenat, në fshatin Kreshpan, ndërsa i riu humbi jetën pak para se të mbërrinte në spitalin e Fierit.

Top Channel