B.Fildishtë, sulmojnë trupa tokësore franceze

11/04/2011 15:05

Trupa tokësore franceze kanë hyrë në qëndër të kryeqytetit të Bregut të Fildishtë, Abixhan, duke u përfshirë për herë të parë në mënyrë serioze në konfliktin që po ndodh në vendin e Afrikës Perëndimore.

Helikopterë kanë bombarduar zonën përreth rezidencës së presidentit të paligjshëm, Laurent Gbagbo, i cili refuzon që të heqë dorë nga detyra e tij.

Autoritetet ndërkombëtare njohin si president të ligjshëm Alassanne Ouattara-n, njeriun që fitoi në zgjedhjet e nëntorit.

Sipas mediave ndërkombëtare, shpërthime të fuqishme janë duke u dëgjuar në qëndrën e rrethuar të qytetit, ndërsa trupat e Ouattara-s duket se po bashkohen me forcat franceze, në një mësymje finale ndaj bunkerit të Gbagbo-s.

Zëdhënësi i Ouattara-s njoftoi se sulmi do të vazhdojë deri në dorëheqjen e presidentit të paligjshëm.

Top Channel