Libi, pritet delegacioni i liderava afrikanë

09/04/2011 10:30

Një delegacion i disa liderave afrikanë, i kryesuar nga presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, pritet të mbërrijë në Libi për të zhvilluar bisedime delikate me kolonelin Muammar Gaddafi.

Delegacioni i përbërë nga pesë udhëheqës shtetesh do të takohet me përfaqësuesit e qeverisë në Tripoli, përpara se të vizitojë edhe qeverinë e rebelëve në Bengazi, për të negociuar një paqe midis të dy forcave ndërluftuese.

Delegacioni përbëhet nga presidentët e Afrikës së Jugut, Republikës Demokratike të Kongos, Malit, Mauritanisë dhe Ugandës, që do të përfaqësojnë nga ana e tyre të gjithë vendet e Bashkimin Afrikan.

Ndërkohë, luftime të ashpra janë duke u zhvilluar midis të dyja palëve në Libi në rrethinat e qytetit të Ajdabijës, në zonën e kontrolluar prej kryengritësve.

Bashkimi Europian vazhdon të ushtrojë presion mbi Tripolin për të pranuar një mision humanitar në Misrata, qyteti i tretë më i madh i Libisë, i cili mbahet i rrethuar dhe bombardohet prej disa javësh prej forcave qeveritare.

Top Channel