Holandë, 6 të vdekur në qendrën tregtare

09/04/2011 17:25

Personi i armatosur që hapi zjarr në një qendër tregtare në Holandë vrau pesë persona dhe plagosi 11 të tjerë para se t’i jepte fund jetës së tij.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale. Ngjarja ndodhi në një qendër tregtare të populluar në qytetin Alfen an den Rijn, rreth 25 kilometra në jug-perëndim të Amstërdamit.

Kryetari i bashkisë së qytetit tha se personi i armatosur hapi zjarr me një armë automatike ndaj vizitorëve të qendrës dhe më pas qëlloi veten.

Autori i krimit të rëndë nuk është identifikuar ende dhe rrethanat e veprimit të tij janë ende të paqarta.

Mediat holandeze citojnë dëshmitarë nga vendi i ngjarjes që thonë se personi në fjalë kishte flokë të verdha dhe ishte rreth 25 vjec. Sipas dëshmive, ai ishte veshur me një xhaketë lëkure dhe me pantallona ushtarake.

Kryetari i bashkisë, Bas Eenhoorn e ka cilësuar ngjarjen si “të paprecedent” në një qytet që numëron rreth 70 mijë banorë.

Top Channel