PS: Policia në shërbim të fushatës së PD-së

07/04/2011 11:50

Partia Socialiste ka akuzuar Policinë e Shtetit se është vënë në shërbim të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike.

Deputeti socialist, Gazmend Bizhga ka theksuar në Kuvend se janë shfaqur “bandat e të fortëve” që mbështesin kandidatët e PD-së të cilët kanë shkaktuar një sërë incidentesh, për të cilat policia nuk ka reaguar.

“Po ndodhin atentate në mes të kryeqytetit. Rendi publik është shthurrur përderisa klanet e kryeministrit bëjnë ligjin në policinë e shtetit. Policia e shtetit është vënë në shërbim të fushatës së kandidatëve të qeverisë për zgjedhjet lokale. Njësoj si në zgjedhjet e shkuara shfaqen bandat e të fortëve të kandidatëve të qeverisë dhe policia po bën një sy qorr dhe një vesh shurdh”, deklaroi Bizhga.

“Punonjësit e policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e kësaj maskarade dhe korrupsionit ligjor. Kjo qeveri i ka ditët e numëruara dhe kush shkel votat e shqiptarëve do të përballet para ligjit”, theksoi Bizhga.

Top Channel