Fushata, kujtohen viktimat e 21 janarit

07/04/2011 18:55

Në fushatën që PS po zhvillon në këto momente për zgjedhjet e 8 majit, janë përkujtuar me pamje dhe fjalime viktimat e ngjarjeve të 21 janarit.

Përgjegjësia për 4 jetët e humbura në muajin e parë të vitit, sipas PS, është e qeverisë, e cila hapi zjarr ndaj protestuesve të paarmatosur.

Fjalim ka mbajtur edhe vajza e një prej viktimave, Aleks Nikës, e cila ka kërkuar drejtësi për vrasjen e babait të saj.

“Babai im s’kishte bërë asgjë, thjesht protestoi për një jetë më të mirë. Jam këtu sot për të kërkuar edhe njëherë drejtësi, që vrasësit të dalin para drejtësisë”, është shprehur ajo.

Më pas fjalën e ka marrë Lindita Nikolli, kryetare e njësisë bashkiake numër 1 të kryeqytetit, e cila ka hedhur akuza ndaj kandidatit demokrat Lulzim Basha.

“Basha është kandidati i pozitës me vota të vjedhura dhe i parave të vjedhura”, ka deklaruar Nikolli, e cila më pas ka vlerësuar Edi Ramën si zgjidhjen e vetme për Tiranën.

“Edi Rama punon për të zgjidhur hallet tona. Por Saliu e pengon”, është shprehur Nikolli, e cila ka akuzuar liderët e djthatë për vjedhje të pasurisë së shqiptarëve.

Top Channel