Arvizu: Zgjedhjet të rëndësishme

07/04/2011 16:40

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Shkodrës ku është takuar me pushtetarët lokalë, me kryetarin e bashkisë Lorenc Luka, si dhe prefektin e qarkut Shkodër.

Takimi i ambasadorit me pushtetarët lokalë është zhvilluar pa praninë e mediave, por mësohet se gjatë takimit amabasadori ka falenderuar zyrtarët për përballimin me sukses të situatës së përmbytjes, si dhe është njohur me problematikat dhe zhvillimet e qytetit.

Në komunikimin me mediat, ambasadori amerikan e vuri theksin tek rëndësia e zgjedhjeve  lokale.

“Kjo është vizita ime e dytë në Shkodër dhe besoj se ju i mbani mend rrethanat e vizitës sime të parë dhe jam shumë i kënaqur që pash një situatë shumë më të mirë. Kam udhëtuar në gjithë vendin, kam patur mundësinë të takoj kryetarë të ndryshëm bashkish që përfaqësojnë PD dhe PS dhe puna që ata bëjnë është mbresëlënëse. Për Shtetet e Bashkuara kjo është cështja më e rëndësishme që duan të theksojnë për zgjedhjet e 8 majit. Disa njerëz kanë ngritur cështjen se si mendojnë Shtetet e Bashkuara, nëse janë këto zgjedhje një referendum kombëtar, apo cështje vendore. Përgjigjia ime është se, cfarëdolloj zgjedhjesh do kenë ndikim kombëtar, por mua më duket se kur flasim për zgjedhjet në Shkodër, Vlorë, apo Sarandë, qytetarët do të flasin dhe do bëjnë këtë pyetje, se cfarë do të bëjnë për mua që jetoj në këtë qytet. Dhe mendoj që kjo është e rëndësishme, kandidatët duhet të shpjegojnë punën që kanë bërë dhe që do të bëjnë”, ka deklaruar Arvizu.

I pyetur nga Top Channel në lidhje me situatën politike parazgjedhore, ai është përgjigjur: “Nuk kam dëshirë të flas për politikën, pasi sonte në darkë jam i ftuar tek emisioni “Top Story”. Më ndiqni aty në lidhje me qëndrimet politike”.

Më pas ambasadori ka zhvilluar takimet me studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe biznesmenë. Rrugën nga bashkia e qytetit deri tek prefektura ambasadori i Shteteve të Bashkuara ka prefruar ta bëjë në këmbë, i shoqëruar nga pushtetarët lokalë.

Top Channel