BE:21 janari, po pengohen hetimet

05/04/2011 01:10

Situata politike në Shqipëri, roli i Parlamentit, pavarësia e gjyqësorit, reforma në administratë dhe cështjet fiskale e ekonomike do të diskutohen në takimin e dytë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes delegacionit shqiptar, të kryesuar nga Majlinda Bregu, Ministre e Integrimit Europian dhe përfaqësisë së Komisionit Europian, që udhëhiqet nga drejtori për Zgjerimin, Pierre Mirel. (UPDATE)

Sipas dokumentit konfidencial, të siguruar nga TCH, qëndrimi i Brukselit për pjesën politike do të fukusohet në krizën mes partive kryesore, vecanërisht në ngjarjet e 21 janarit, ku kërkohet hetim i plotë dhe i pavarur nga sistemi gjyqësor.

“Delegacioni i BE do të shprehë shqetësim të thellë për situatën aktuale politike, duke përfshirë edhe bllokimin e gjatë të qëndrueshem politik dhe mungesën e dialogut konstruktiv politik. Do të shprehë keqardhje për dhunën dhe zhvillimet dramatike të datës 21 janar dhe do të theksojë se këto ngjarje dhe përshkallëzimi i tensioneve që pasuan nuk janë në përpjestim të drejtë me ato te një vendi aspirant për anëtarësim në BE, ato rrezikojnë të vonojnë perspektivën europiane të vendit.”

Përveç kësaj, delegacioni i BE-së do të theksojë se është e domosdoshme që ngjarjet e 21 janarit të hetohen plotësisht nga autoriteti i duhur i Drejtësisë së Shtetit.

“Hetimi duhet të ndiqet sic duhet nga prokuroria e të ndëshkohen të gjithë ata që do të rezultojnë fajtorë. Autoriteti gjyqësor duhet të jetë në gjendje të punojë i pavarur, pa pengesa dhe pa ndërhyrje të panevojshme. Duhet shmangur pengimi në mënyrë direkte ose indirekte, si dhe skualifikimi i institucioneve shtetërore. Sigurimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore është një ndër prioritetet kryesore të opinionit.”

Dokumenti paraprak përsërit qëndrimin e BE-së se qeveria dhe opozita ndajnë përgjegjësinë për kapërcimin e krizës politike dhe për zbutjen e situatës konfrontuese.

“Delegacioni i BE-së do të bëjë thirrje për ndryshimin e tonit politik. Retorika acaruese nuk i kontribuon rivendosjes së qetësisë dhe shmangies së rrezikut për dhunë të mëtejshme e polarizimin e shoqërisë shqiptare.”

Në këtë qëndrim shprehet dhe shqetësimi për mënyrën e funksionimit të Parlamentit, duke kërkuar madje dhe rishikim të rregullores.

“Delegacioni i BE-së do të theksojë se funksionimi i duhur i Parlamentit përfshin dhe përmirësimin e performancës së tij kontrolluese dhe funksionet mbikëqyrëse. Do të nënvizohet nevoja për të marrë masa për të garantuar zbatim të plotë dhe efikas të rregullores, gjithashtu dhe rishikim të saj bazuar në konsensusin ndërpartiak, duke përfshirë këtu dhe përsa i takon përbërjes dhe mandatit të komiteteve hetimore parlamentare.”

Kërkohet cilësi për legjislacionet me anë të “shqyrtimit të fortë” nga komisionet parlamentare me pjesëmarrjen e opozitës dhe të grupeve të interesit.

“Delegacioni i BE-së do bëj thirrje për hapa që garantojnë një procedurë normale e transparente për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit si dhe për seancat e dëgjimit dhe votimit mbi emërimet në Gjykatën e Larte dhe atë Kushtetuese. Do të bëhet thirrje gjithashtu për të miratuar ligjet e mbetura me shumicë të cilësuar. Këto janë prioritete kycë në Opinion.”

Pasi theksohet se kapërcimi i ngërcit politik do të bëjë të mundur vijimin e reformave për të përmbushur 12 prioritetet kyce, vlerësohet deklarata e qeverisë për t’i shndërruar ato në program pune, duke theksuar se fushat themelore janë respektimi i shtetit ligjor, pavarësia e institucioneve, funksionimi i duhur i  parlamentit dhe sjellja në zgjedhje sipas standarteve europiane e ndërkombëtare.

Plani i aksionit, dorëzuar nga autoritetet shqiptare gjatë muajit shkurt vlerësohet i mirë në përgjithësi, por kërkohet një analizë më e thellë, sjellje më strategjike si dhe që të përcaktohen indikatorët që do të monitorojnë progresin e 12 prioriteteve, si dhe një buxhet solid për zbatimin e planit të aksionit.

“Delegacioni i BE-së do të tregojë se BE është e gatëshme të kontribuojë në të gjitha përpjekjet për të zgjidhur ngërcin politik, por do të bëjë të qartë se udhëheqësit politikë shqiptarë duhet të japin sinjale të pagabueshme për një vullnet të vërtetë që vëndos interesat dhe të ardhmen e vendit mbi politikat partiake dhe axhendat personale.”

Në takim, sipas këtij dokumenti konfidencial do të theksohet rëndësia e mbajtjes së zgjedhjeve të ndershme në 8 maj.

“Vendi nuk mund të humbasë këtë mundësi për të dëshmuar potencialin e vet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente.”

21 janari përmendet sërish kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

“Do të shënohet me shqetësim dhuna e raportuar mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, vecanërisht keqtrajtimi i raportuar mbi personat e arrestuar gjatë zhvillimeve të 21 janarit dhe kushtet nën-standarte të mbajtjes në burgun Shën Koll të Lezhës. Do të hetojeë mbi masat e marra nga autoritetet shqiptare për të trajtuar rekomandimet e bëra nga Avokati i Popullit. Përforcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe trajtimit të të burgosurve janë ndër prioritetet kryesore të Opinionit.”

Qeverisë, sipas dokumentit, do t’i kërkohet që të zbatojë angazhimet e marra për pjesëmarrjen e grave, edhe në zgjedhjet lokale, personat me aftësi të kufizuara dhe minoritetet. Ndërkohe që do të flitet dhe mbi rëndësinë e regjistrimit të popullsisë.

“Do të bëhet thirrje sërish mbi rëndësinë e freskimit të të dhënave statistikore për zhvillimin e duhur të politikave ndaj minoritetit. Do të shënohet se regjistrimi i popullsisë do të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2011 dhe do të nënvizohet rëndësia e ushtrimit në përputhje me standartet e njohura ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe parimin e vet-identifikimit të të anketuarve. BE do të inkurajojë Shqipërinë për të siguruar informacion të duhur e kontakte me grupet e interesit për të mënjanuar cdo mosmarrëveshje të mundshme për pyetjet opsion mbi origjinën etnike dhe përkatësinë fetare. Delegacioni do t’i kujtojë Shqipërisë se nga ky regjistrim ka përfitime thelbësore nga asistenca financiare IPA.”

Pjesë e kriterit politik është dhe media, ku do të theksohet nevoja për amendimin e dispozitave mbi shpifjen në Kodin Penal dhe do t’i kërkohet palës shqiptare që të zbatojë sic duhet ligjin aktual për qasjen në informata. Një gjë e tillë argumentohet se do të inkurajonte Shqipërinë për të promovuar në mënyrë aktive pluralizmin e ideve dhe lirinë e plotë të medias.

“Delegacioni i BE-së do të theksojë gjithashtu se pret nga qeveria të tregojë vendosmëri për luftën kundër rasteve të presionit të padrejtë ndaj medias, si dhe të sigurojë se garancitë aktuale ligjore zbatohen plotësisht dhe në mënyrë transparente. Rregullat që rregullojnë sektorin e medias duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë mbi të gjithë për të shmangur cdo perceptim të mundshëm për standarte të dyfishta në lidhje me median.”  

Në kuadër të politikave sociale, Shqipërisë i kërkohet një plan aksioni për reformën në media, vecanërisht për ligjin mbi shërbimin audiovisual, i cili duhet të marrë parasysh vlerësimet e bëra nga Komisioni  i BE-së  dhe Këshilli i Europës.

Shqetësim do të shfaqet mbi zhvendosjen me forcë të minoritetit rom më 20 shkurt, duke kërkuar hetim të ngjarjes, ndëshkimin e fajtorëve por dhe ndihmë sociale, duke përfshirë dhe ambiente banimi për familjet e këtij komuniteti që u shpërngulen me dhunë.

Lufta ndaj korrupsionit përsërit qendrimin e Opinionit përsa i takon hetimit të rasteve e vecanërisht ndëshkimit të ulët në nivel të lartë zyrtarësh. Kërkohet hetim i plote e i pavarur ndaj dy deputetëve pa imunitet së fundmi, Meta e Prifti. Shprehet keqardhje për gjuhën e përdorur ndaj Prokurores së Përgjithshme menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit.

Kthimi dhe kompensimi i pronave vlerësohet si një proces i ndjeshëm ku kërkohet transparencë dhe konsultime me aktorët e interesit.

Përsa i takon stabilitetit makroekonomik, vendi inkurajohet që të marrë masa për të mbajtur konsolidimin fiskal në rrugën e duhur, duke përmbysur tendencën në rritje për raportin mes borxhit dhe produktit të brendshëm bruto (GDP). Rekomandohet përmirësimi i sistemit edukues dhe rritjes së aftësive e cilësisë së krahut të punës.

Në fushën e konkurrencës vërehet progres në përgjithësi, por rekomandohen metoda transparente dhe përcaktim-cmimi bazuar në kosto për tregun e shërbimeve, ndërkohë që do të verifikohet mbi licensat shtesë që janë dhënë gjatë procesit liberalizues të tregut 3G.

Bëhet thirrje për zbatimin e MSA-së mbi të drejtat e autorit dhe ato të pronësisë industriale, në përputhje me standartet e BE-së. Në këtë fushë mangësi të mëdha vërehen në kapacitetet administrative, nivelin e ulët të gjobave, mungesën e përvojës se duhur dhe kualifikimeve në gjyqësor.

Kërkohen statistika në sektorin e bujqësisë në mënyrë që të bëhen politikat për zbatimin e fondeve të BE-së në të ardhmen.

Bashkimi Europian deklaron se do të bëjë një kërkesë për rishikim të zhvillimeve në Shqipëri mbi sigurine nukleare, menaxhimin dhe mbrojtjes nga radioaktiviteti në vend me qëllim që BE të sigurohet për standartin më të lartë në përdorimin e energjisë nukleare, por dhe për kapacitetet garantuese dhe organin rregullator në këtë fushë. Ndërkohë që bëhet thirrje ndaj autoriteteve vendase që të garantojnë ofertën e energjisë elektrike në përputhje me Traktatin e Komunitetit Energjitik, ku Shqipëria bën pjesë.

“Do të kërkohet progres nga Shqipëria për zbatimin e legjislacionit europian për garantimin e ofertës së energjisë elektrike sic e parashikon Traktati i Komunitetit Energjitik. Delegacioni i BE-së do të kërkojë gjithashtu freskim të dhënash mbi rritjen e planifikuar për rezervën emergjente të karburantit në nivelin e 90 ditëve, në përputhje me direktivën e BE-së për rezervat e naftës.”

Progres vlerësohet në zbatimin e legjislacionit europian për transportin ajror, por shqetësim mbetet zbatimi i  standarteve të sigurisë.

Për të diskutuar teknikisht mbi këto fusha në Bruksel mbërrin një delegacion prej 30 vetash nga ministritë e linjës dhe institucionet përgjegjëse. Takimi do të zhvillohet pa praninë e medias.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel