Klasifikimi i universiteteve

02/04/2011 16:00

Firma gjermane e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit për të bërë klasifikimin e universiteteve të Tiranës, po punon për rankimin vetëm të tri degëve, ekonomi, shkenca sociale dhe juridik.

Kjo formë është kundërshtuar nga Universiteti i Tiranës, por jo vetëm ai, pasi le të paktën 90% të fakulteteve të universiteteve jashtë këtij proçesi.

“Institucionet të cilat përfshihen në skemën e rankimit, janë ato që ofrojnë degë të këtyre tre fakulteteve: ekonomik, juridik dhe shkenca sociale. Të gjitha institucionet që nuk përfshijnë këto tre degë, siç mund të jetë Akademia e Arteve, Universiteti Politeknik dhe universitete të tjera, nuk përfshihen në skemën e rankimit. Në këtë rast Universiteti i Tiranës përjashtohet nga nga 90% e dëgëve që ofron”, tha Ervin Demo, drejtor i komunikimit në rektorat.

Rektorati i Tiranës ka kërkuar që të gjitha universitetet publike dhe private t’i nënshtrohen më parë akreditimit dhe të bëjnë publike numrin e pedagogëve të brendshëm.

“Ligji i arsimit të lartë e shpreh dhe ka një kriter shumë të qartë ligjor, që është që një universitet që të ekzistojë, që të ketë të drejtën për të ofruar shërbim, pra për të pasur studentë në ambjentet e veta, duhet së paku të ketë 28 pedagogë të brendshëm, të ndarë në dy fakultete dhe çdo fakultet në dy departamente. Duhet që të paktën tre prej këtyre pedagogëve të kenë gradën doktorë. Ne mendojmë se kjo nuk ka nevojë për akreditim që të zbatohet pasi është një kriter ligjor dhe ky është një detyrim direkt që ka Ministria e Arsimit, për ta implementuar në çdo institucion të arsimit të lartë që ekziston në Shqipëri”, pohoi Demo.

Ishte Universiteti i Tiranës që kërkoi klasifikimin e universiteteve në Shqipëri për shkak të një bumi të madh që mori hapja e universiteteve private, shpesh pa stafet dhe kriteret e nevojshme për një universitet.

Top Channel