Fyle: Dua opozitën në tryezë

30/03/2011 12:15

Komisionieri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fyle ka filluar vizitën zyrtare në Tiranë, ku do të marrë pjesë në takimin vlerësues mbi planin e aksionit që autoritetet shqiptare dorëzuan gjatë muajit shkurt mbi 12 prioritetet kyçe të përcaktuara në opinionin e nëntorit.

Fyle gjatë ditës së sotme është takuar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe me pas me kryeministrin Berisha si dhe kreun e opozitës, Edi Rama.

Në takimin me kryeministrin Berisha mësohet se është diskutuar për rëndësinë e lirisë së medias dhe mos ushtrimin e presionit politik ndaj tyre.

Në 12 prioritetet kyçe, Komisioni Evropian kërkon bashkëpunim të plotë mes forcave politike.

Në fillim të këtij viti, përmes një letre dërguar kryeministrit Berisha, komisioneri për Zgjerimin shprehu gatishmërinë e tij për të vizituar Tiranën në rast se ai do të ftohej nga të dyja forcat kryesore politike.

Një ditë më parë zëdhënësja Natasha Batler kishte deklaruar se synimi vizitës është nxitja për reformat e nevojshme që duhen bërë në mënyrë që të adresohen me efikasitet këto prioritete kyçe.

E sigurisht që një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur pa një dialog konstruktiv.

Batler deklaroi se komisioneri do të nënvizojë edhe në seminarin e Tiranës mbi planin e aksionit se duhet ndërtuar besimi dhe konsensusi mes dy krahëve politike përmes një diskutimi produktiv mes palëve mbi axhendën europiane të vendit.

Rreth orës 13:15, komisioneri Fyle do të mbajë edhe një konferencë për shtyp.

Top Channel