Kriza e zgjedhjet, Fyle në Tiranë

29/03/2011 15:40

Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle mbërrin nesër në Tiranë për të marrë pjesë në takimin vlerësues mbi planin e aksionit që autoritetet shqiptare dorëzuan gjatë muajit shkurt mbi 12 prioritetet kyce të përcaktuara ne Opinionin e nëntorit. (UPDATE)

“Po, është e vërtetë se komisioneri Shtefan Fyle do të vizitojë Shqipërinë nesër. Ai do të marrë pjesë në një seminar që organizohet në Tiranë, në reagim të planit të aksionit që përgatitën autoritetet shqiptare për adresimin e 12 prioriteteve kyce që Komisioni kishte përcaktuar në opinionin e tij për Shqipërinë”, ka deklaruar zëdhënësja e Fyle, Natasha Butler.

“Synimi është nxitja për reformat e nevojshme që duhen bërë në mënyrë që të adresohen me efikasitet këto prioritete kyce. E sigurisht që një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur pa një dialog konstruktiv. E kemi thënë shpesh këtë dhe komisioneri Fyle do ta nënvizojë dhe në seminarin e Tiranës mbi planin e aksionit, se duhet ndërtuar besimi dhe konsensusi mes dy krahëve kryesorë politikë, përmes një diskutimi produktiv mes palëve mbi axhendën europiane të vendit”, ka nënvizuar Butler.

Në 12 prioritetet kyce, Komisioni kërkon bashkëpunim të plotë mes forcave politike. Megjithëse i paftuar zyrtarisht nga pozita dhe opozita, Fyle në Tiranë do të takojë presidentin Topi, kryeministrin Berisha dhe kreun e PS Rama, për të ndarë me ta shqetësimet e tij për vendin tonë.

“Mbi shqetësimet kryesore për Shqipërinë, ne i kemi përsëritur disa herë, duke nisur nga zhvillimet tragjike të 21 janarit, se cilat janë shqetësimet kryesore të komisionerit Shtefan Fyle. Zgjidhja e krizës politike, kthimi i axhendës europiane në mënyrë të spikatur në axhendën e reformave të Shqipërisë, e këtu përfshihet dhe ajo cfarë përmenda më lart, si nevoja për një dialog të përgjegjshëm e konstruktiv mes maxhorancës dhe opozitës për të përgatitur zgjedhjet e 8 majit, si dhe duke shtuar këtu garancinë se do të punojnë së bashku për zgjedhje lokale transparente, në përputhje me standartet ndërkombëtare. Kjo është themelore për vende potencialisht kandidate si Shqipëria”, ka theksuar Butler.

Në fillim të këtij viti, përmes një letre dërguar kryeministrit Berisha, komisioneri për Zgjerimin shprehu gatishmërinë e tij për të vizituar Tiranën në rast se ai do të ftohej nga të dyja forcat kryesore politike.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel