Berisha: Të konsolidojmë votën e lirë

27/03/2011 19:30

Partia Demokratike miratoi dhe shpalli publikisht të gjitha kandidaturat e saj për zgjedhjet lokale të 8 majit, një ditë përpara skadimit të afatit për dorëzimin e tyre në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor. (UPDATE)

Nga 66 bashki demokratët u kanë lënë aleatëve 18 prej tyre, ku më shumë se gjysmat janë zona të lira për LSI-në, ndërsa nga 308 komuna, aleatët kanë marrë 82 prej tyre, ose gati një të katërtën.

Por ajo ku kreu i mazhorancës vuri theksin gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ishte rëndësia e konsolidimit të standarteve për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe tek modeli i fushatës që duhet të ndjekin të gjithë kandidatët.

“Gjithcka në detaj do të jetë për qytetarin si rruga më e sigurt për të zhvilluar këtë vend me shpejtësinë më të madhe. Ky është modeli ynë, modeli i fushatës sonë. Do të merremi me qytetarin, jo me kundërshtarin. Më 8 maj fitmtari më i madh të jetë qytetari shqiptar”, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.

Zoti Berisha u shfaq besimplotë në fitoren e “Aleancës për Qytetarin” në zgjedhjet lokale, pasi sipas tij mazhoranca shkon përpara shqiptarëve me premtime të mbajtura dhe projekte për të  përmirësuar më tej jetën e qytetarëve.

Ndërsa, nga ana tjeter, sic u shpreh kreu i demokratëve qendron alternativa e së shkuarës, që përvec aleancës në zgjedhje me Partinë e Punës, nuk ofron gjë tjetër vec interesit të Edi Ramës për t’u bërë kryeministër.

“Zoti Rama ka zgjedhur Berishën, unë kam zgjedhur qytetarin. U thotë qytetarëve ju s’ekzistoni, për mua ekziston vetëm opsesioni im, dhe ky është Berisha. E garantoj se në 2013 do t’i  duket lule 2009, kurse në 2011 përgjigjen më të plotë do ta ketë nga zoti Basha”, u shpreh Berisha.

Zoti Berisha ironizoi sloganin e socialistëve “Fajin e ka Saliu”, kur përshendeti fitoren e kombëtares shqiptare kundër Bjellorusisë dhe përdori mbiemrin e golashënuesit Salihi, që i dha fitoren skuadrës së Shqipërisë.

“Ishte goli i fitores. Natyrisht në selinë tjetër u fikën dritat se iu duk se ai gol u bë krejt nën sloganin e tyre: Fajin e ka Saliu! Të tilla faje, Saliu do të ketë të shumta”, deklaroi Berisha.

 

Lista e plote e kandidateve te Partise Demokratike

Top Channel