Topi pret lordin Mekneli

25/03/2011 10:55

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot ministrin e Shtetit për Drejtësinë të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Tom Mekneli.

Sipas faqes së Presidencës, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për kontributin dhe ndihmesën e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në drejtim të përsosjes së mëtejshme të sistemit gjyqësor në Shqipëri nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë dhe projekteve të ndryshme në këtë fushë dhe më konkretisht projektit më të fundit për Gjykatën e Lartë.

“Arritja e këtij objektivi madhor, e shoqëruar me transparencë të plotë do të rikthente besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte edhe plotësimin e kritereve të kërkuara në funksion të përmbushjes së aspiratës së vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, vuri në dukje presidenti Topi, sipas faqes së Presidencës.

“Ministri britanik i Shtetit për Drejtësinë, Lordi Tom Mekneli vlerësoi arritjet e bëra në Shqipëri në fushën e drejtësisë, duke theksuar nevojën e kalimit nga zotimet në vepra konkrete përsa i përket reformës në gjyqësor, si dhe vuri në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim”, thuhet në deklaratë.

“Lordi Mekneli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike të të gjithë krahëve për konsolidimin e shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura demokratike si dhe për vazhdimin e suksesshëm të reformat jetike për vendin dhe të ardhmen e tij evropiane”, theksohet më tej në njoftimin e Presidencës.

Top Channel