Parlamenti i ri shqiptar

24/03/2011 15:35

Është zgjedhur projekti sipas të cilit do të ndërtohet kompleksi i ri parlamentar në vendin ku sot ngrihet piramida, në zemër të kryeqytetit. (UPDATE)

Projekti i një studioje austriake u përzgjodh nga një juri ndërkombëtare, e cila punoi për 4 ditë për të mbërritur në klasifikimin e projektit fitues.

Ky projekt, sipas kryetarit të jurisë Johanes Ibeling, një nga autoritetet europiane në fushën e kritikës së arkitekturës, fitoi më shumë si nga juria, 76 pike, ashtu edhe nga publiku, që e vlerësoi projektin e studios vieneze me 50 pikë.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi një sfidë realizimin e këtij projekti brenda një viti e gjysmë për t’i dhënë kryeqytetit monumentin më bashkëkohor në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

“Bashkë me kolegët e tjerë kemi një sfidë të vështirë, sepse ne vrapojmë kundër kohës që për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë të kemi gati atë që është simbolika më e madhe e demokracisë shqiptare”, ka deklaruar Topalli.

Projekti fitues i kompleksit të ri parlamentar është dizejnuar si një ndërtesë ansambël, që reflekton vlerat themelore demokratike, është i hapur, transparent dhe bashkëvepron me publikun.

Ajo që vecanërisht vlerësojnë arkitektët është se salla e Parlamentit, e vendosur në bazën e godinës, reflekton sundimin e fuqisë së elektoratit, pasi e vendos publikun mbi anëtarët e zgjedhur të Kuvendit, pa i hequr të drejtën sallës kryesore të Parlamenit të jetë qendra metaforike dhe fizike e ndertesës.

Top Channel