Bollano ndan PBDNJ me aleatët

24/03/2011 15:30

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi Aleancën për të Ardhmen, koalicion me 23 parti i kryesuar nga Partia Socialiste.

Me kërkesën e vetë partisë Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, KQZ e hoqi këtë parti nga koalicioni i majtë.

Por nuk është kjo humbja më e madhe për këtë koalicion, por kandidimi më vete i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. PBDNJ nuk figuronte në listën e partive të koalicionit të majtë, të miratuar nga KQZ.

Mesa duket, shkak për këtë është bërë kandidatura e Vasil Bollanos në Himarë. Partia Socialiste kishte deklaruar publikisht kohë më parë se nuk do ta mbështeste rikandidimin e tij, ndërkohë që PBDNJ kishte konfirmuar se zoti Bollano mbetet kandidat i kësaj partie për bashkinë e Himarës.

Duke kandiduar e vetme për këto zgjedhje lokale, PBDNJ i rezervon të drejtën vetes që përvec Himarës, të paraqesë kandidatët e saj në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit.

Nga PBDNJ nuk kishin asnjë koment për këtë cështje. Ndërkohë, nga selia rozë pohojnë se pavarësisht se PBDNJ do të kandidojë e vetme në këto zgjedhje lokale, ajo do të mbetet pjesë e opozitës.

Megjithatë, edhe pa PBDNJ-në dhe partinë tjetër që u tërhoq në minutat e fundit, ky koalicion i Partisë Socialiste mbetet koalicioni më i gjerë i krijuar ndonjëherë nga kjo parti për zgjedhje.

Me herët kishte qenë Partia Demokratike që kishte deklaruar se nuk do të suportojë kandidaturën e zotiti Bollano për Himarën.

Top Channel