Videoja, tjetër ekspertim

23/03/2011 19:50

Duke ecur në gjurmët e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, i cili dy ditë më parë bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për pavlefshmëri të video-regjistrimit mes tij dhe Dritan Priftit, të njëjtin veprim e ka pasuar edhe ish-zëvendësministri i Ekonomisë Leonard Beqiraj. (UPDATE)

Nëpërmjet një kërkese të depozituar nga dy avokatët e tij mbrojtës, Vladimir Meci dhe Genc Gjokutaj, ish-zëvendësministri kërkon pavlefshmëri absolute të veprimeve hetimore të kryera nga prokuroria deri më tani.

Nga ana e tij, ish-zëvendëskryeministri Meta pretendon në kërkesën e tij të depozituar në Gjykatën e Lartë se, sipas nenit 151/4 të Kodit të Procedurës Penale video-regjistrimi, apo thënë me terma juridikë “kjo provë” është marrë në kundërshtim me ligjet.

Po kështu në kërkesën e tij Meta ka rezerva edhe mbi kryerjen e eksperzitës. Por ndërkohë këtë të mërkurë në Prokurorinë e Përgjithshme ishin dy avokatët e zotit Meta, Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, të cilët sipas një komunikimi telefonik, konifrmuan se ishin thirrur nga prokurorët e cështjes për t’u komunikuar vendimin për një ekspert tjetër të huaj.

Ky ekspert do të sqarojë një pjesë audio të video-regjistrimit Meta-Prifti, për të cilën eksperti i FBI-së ishte shprehur më parë se nuk kishte pajisjet e duhura për ta pastruar.

“Dihet se prokuroria ka gënjyer Parlamentin mbi informacionet që ka dërguar për këtë cështje dhe të gjithë në Shqipëri e dinë që për shkak të kryeprokurores Rama, prokuroria është përfshirë në një fushatë elektorale. Avokatët e mi po shqyrtojnë shkeljet nga prokuroria”, ka deklaruar Meta.

Eksperti i FBI-së ka thënë gjithashtu se kjo video është e patjetërsueshme dhe autentike. Po ashtu, prokurorët i kanë komunikuar vendimin për ekspertin anglez edhe avokatit Meci, mbrojtës i Leonard Beqirajt.

Ndërkaq, për disa orë rresht prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë marrë në pyetje ish-deputetin Ymer Tola, emri i të cilit u lakua pas bisedës mes Priftit dhe Metes, ku ky i fundit flet për dhënie koncensioni të një kompanie që ende ishte në proces gjyqësor.

Top Channel