Rama i jep Pacollit Celësin e Kryeqytetit

21/03/2011 17:40

Kryetari i bashkisë së Tiranës ka pritur pasditen e sotme në një takim presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë në cilësinë e kreut të shtetit kosovar.

Gjatë takimit të ngrohtë, Rama i ka dhuruar Pacollit në mënyrë simbolike Celësin e Tiranës.

Në përfundim të takimit, Pacolli është shprehur për mediat se Tirana është shembulli më i mirë i ndërtimit të një shoqërie në rajon.

“Do doja që Tirana të shërbejë si shembull i mirë për kryeqytetet e rajonit. Kjo nuk do të jetë vizita ime e fundit, unë do të vij sërish pasi aty ku ndërtohet është edhe vendi im”, ka deklaruar Pacolli.

Ndërsa Rama nga ana e tij ka deklaruar se vizita e Pacollit është një shenjë e afrimit të Shqipërisë me Kosovën, të cilat në të ardhmen do të jenë njësh.

“S’kishte ditë më të përshtatshme për të mikpritur presidentin e ri të Kosovës, duke i dhënë celësin dhe duke i shtrënguar dorën e vllazërimit, dorën e një lidhjeje që bëhet gjithnjë e më e fortë, ndërkohë që kufiri do të bëhet thjesht simbolik”, është shprehur Rama.

Top Channel