Kur politika përçan familjet

21/03/2011 20:10

Preferencat e ndryshme politike kanë përçarë shumë familje në Shqipëri, ndërsa reportazhi i lajmeve të orës 19:30 në Top Channel solli një shembull klasik të këtyre ndasive.

Komuna Grykë-Çaje shtrihet në një zonë të thellë, 48 km nga qyteti i Kukësit.

Rruga e vështirë gjarpëron mes malesh e rrëpirrash te forta, ku herë pas here duken shtëpi si të mbira nga shkembinjtë.

Në 4 fshatrat e komunes jeta është një kalvar i gjatë mes izolimit për muaj nga dëbora,  tokës që është e pakët dhe nuk prodhon shumë, e ndihmës ekonomike me të cilën mbajnë gjallë frymën një pjesë e mirë e zonës.

Gjithçka tjetër është një çorbë politike që ka përçarë gjithë komunitetin, duke hyrë në çdo prag shtëpie e duke u ulur këmbëkryq në çdo sofër.

I pari që takuan kamerat ishte Liman Shehu, mësues në shkollën 8-vjeçare të fshatit më të thellë të kësaj komune, Çajës.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2007, ai ka qenë kandidati i koalicionit të majte në garën për postin e kryetarit të komunës. Limani humbi duke marrë 70 vota apo 11,09 përqind.

Pavarësisht se i renditur i treti nga tre garuesit, Liman Shehu thote se nuk do të tërhiqet në atë që ai e quan një betejë për të nxjerrë nga varfëria komunën ku jeton.

”Personalisht nuk më ka shkuar kurrë në mendje ndonjëherë të bashkëpunoj me njerez që abuzojnë me pushtetin“, deklaroi Shehu.

”Kanë tentuar të më heqin prej pune, më kanë hequr, duke bërë një censurë të tmerrshme, kanë tentuar të më arrestojnë vetëm se kam folur hapur kundër vjedhjes”.

Akuzat e Limanit, më së shumti janë për kandidatin i renditur i dyti në zgjedhjet e 2007-s.

Ai është kushëriri i tij, i cili si i pavarur mori plot 261 vota apo 41,36 përqind. Vexhi Shehu dhe Liman Shehu janë përballur edhe në vitin 2003 .Në atë kohë, nën siglën e demokratëve, Vexhiu sot i pavarur doli fitues.

“Janë shumë fanatikë njerëzit. Pa e njohur thellë ideologjinë politike, futen dhe janë të futur aq thellë deri në fyt, sa nuk levizin dot më”, deklaron Vexhiu.

 “Mjafon t’i thuash që është filani i PD-së dhe le të jetë kush të jetë, le te jetë bari, i japin votën. Ata që janë të bindur për PS-në, që janë ato të traditës, edhe ata e japin votën pa e parë kush është kandidati”.

Konflikti, jo vetëm politik mes dy të afërmve është pasuar edhe tek familja, pjestarë të së cilës janë poziconuar në llogore të ndryshme, në mbështetje të njërit apo tjetrit.

Besnik Shehu, kushëri me të dy, tha: “Ka vështirësi të mëdha, pa rrugë, pa drita, pa ujë.

Fëmijet janë pa shkollë, shkollat janë duke u rrëzuar dhe rrezikojnë t’i zënë femijet brenda. Çojmë fëmijët në shkollë dhe presim të shohim a do të kthehen gjallë”.

Ndërsa kandidati i majtë përplasej me kushëririn e pavarur, duke ndarë votat mes tyre, fitues ne 2007-n doli garuesi demokrat.

Sherri politik mes Liman Shehut dhe Vexhi Shehut i garantoi postin e Kryetarit të Komunës Vesel Shehut, një tjetër perfaqesues i të njëjtit fis në Grykë-Çaje.

631 votuesit e kësaj komune të vogël, prej thuajse 10 vitesh gjenden përballë kësaj dileme, se cilin nga fisi i Shehëve duhet të mbështesin në procesin zgjedhor të rradhës.

 “Unë për vete, shpirtërisht kam dashur të ishim bashkë, se nuk shkon kjo gjithmonë, Shehët kundërshtarë me njeri-tjetrin.

Megjithatë, ata kanë logjikuar ashtu, kanë ikur nga Partia Demokratike, kanë ikur ne parti të tjera për efekt të karriges”, deklaron Veseli.

Trullosja bëhet e paevitueshme, teksa kunati i kandidatit socialist, edhe ai me mbiemer Shehu, thotë se mbeshtet fort Kryetarin demokrat të Komunës, të cilit do t’i bëjë edhe fushatën për 8 majin.

 “Aq sa ka patur mundësi, në maksimum ka punuar. Zoti e ndihmohtë në fushatë bashkë me ne, e meriton të rizgjidhet”, vlerëson Seit Shehu.

Përplasjen e Liman, Vexhi e Vesel Shehut, më shumë se kushdo e vuajnë banoret e Grykë-Çajës.

Mes varfërise e zemres së madhe që i karakterizon, ata janë mësuar tashme me këtë realitet të koklavitur politik në zonën e tyre.

Alush Matrazhi, një banor i fshatit, tha: “Sikur të tre të ishin bashkuar dhe të kishin bashkëpunuar, do të kishte qenë mirë për fshatin tonë, por këtë nuk e kanë bërë”.

Në realitetin politik shqiptar, rasti i Grykë-Çajës nuk është i vetmi. Në të paktën 21 komuna, në vitin 2007 janë përballur për forca të ndryshme politike, pjestarë të të njëjtit trung familjar.

Sigurisht, gjithësekush është i lirë të ketë bindje të ndryshme politike, por a eshte ky rasti i Shqipërise apo lidhja kaq e ngushte me politikën ka një tjetër synim?

Në çdo rast, me siguri mund të thuhet se politika në Shqiperi ka zaptuar gjithçka e me shumë se me idealet, ka të bëjë me perfitimet shpesh të majme që sjell pushteti.

Ajo ka hyrë kudo, duke ndarë si në rastin e Grykë-Çajës edhe familjet, të cilat duke ndjekur modelet e Tiranës. kanë vënë në bangën e të akuzuarve njeri-tjetrin.

Top Channel