Imami: Nuk i shitëm armë Libisë

21/03/2011 11:00

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për shitje municionesh Libisë në mënyrë të paligjshme.

Gjatë një raportimi në komisionin e sigurisë, i thirrur me kërkesën e deputetëve socialistë, Imami pranoi vetëm faktin e një kontrate me Jemenin për shitjen 4 milionë fishekëve, 12.7, por që nuk u mbyll për shkak të tërheqjes së vetë kërkuesve.

“Por nuk ka pasur kërkesë. Jemeni është një vend aleat, jo i joni, por në luftën kundër terrorizmit”, ka sqaruar Imami.

Deputeti socialist Ilir Gjoni kërkoi sqarimin e akuzave të bëra edhe nga gazeta “New York Times” në lidhje me gjetjen e armëve shqiptare në një port libanez.

“Të na sqaroni nëse ka pasur apo jo importe nga Serbia dhe Iraku të materialeve ushtarake, dhe nëse po për cfarë qëllimesh janë bërë. Ju duhet të na sqaroni, sepse institucioni që drejtoni ju ndikon më shumë nga të tjerët”, ka theksuar Gjoni.

Ministri i Mbrojtjes Imami pranoi faktin e blerjes së municioneve luftarake nga Mali i Zi jashtë nevojave të tij. Por, sipas të dhënave që disponon Ministria shqiptare e Mbrojtjes, fqinjët tanë i modifikojnë aramatimet dhe i rishesin në tregun botëror.

“I merr, i demonton, i rregullon dhe i rishet. Pasi bën një proces industrial i rishet. Për cfarë ndodh në Malin e Zi ne nuk mund të përgjigjemi”, është përgjigjur Imami.

Shqipëria i ka shitur armë në tre vitet e fundit Burundit, Cekisë dhe Malit të Zi. Edhe pse ka patur kontrata të tjera, ato nuk janë realizuar. Ajo që bie në sy është fakti se, kërkesat, në më të shumtën e rasteve janë për fishekët e kalibrit 12.7.

Top Channel