Gjykata lë në qeli dhunuesit e romëve

21/03/2011 20:00

Gjykata e Tiranës la në arrest me burg dy të rinjtë Besmir Vladi dhe kushëririn e tij Klodian Vladi, për ngjarjen e pothuajse një muaji më parë kur 45 famlije rome u dëbuan nga vendqëndrimi i tyre e më pas, në bazë të dhunës sistematike, iu dogjën edhe barakat ku ata jetonin.

Gjykata e Tiranës i la të rinjtë në qeli jo vetëm për akuzën e dëmtimit të pronës me zjarr por edhe për një akuzë tjetër që rrallë ndeshet në gjykatë.

Dy të rinjtë akuzohen nga prokuroria në lidhje me ngjarjen e rëndë të dëbimit të romëve, sipas nenit 265 të Kodit Penal, për nxitje të urrejtjes ose grindjeve nëpërmjet kombësive, racave dhe feve.

Në bazë të këtij neni, prokuroria i akuzon dy të rinjtë për veprime raciale, nen ky që sipas Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet.

Masa e sigurisë për dy të rinjtë është shqyrtuar me dyer të mbyllura, ndërkohë që dy të akuzuarit, mësohet nga burime të gjykatës, nuk kanë pranuar asnjë nga akuzat.

Skandali i keqtrajtimit për katër netë me radhë në zonën pranë stacionit të trenit në Tiranë e më pas dëbimi i tyre dhe djegia e barakave u denoncua nga Top Channel disa ditë më parë.

Pas dhunës ndaj tyre, 120 romë janë detyruar të shpërndahen në zona të ndryshme dhe në qytete të tjera të vendit. Vetë ata para kameras treguan dhunën e ushtruar.

Ndërsa disa ditë pas këtij denoncimi pati një reagim të përbashkët nga ambasadorët e SHBA, OSBE dhe BE në Tiranë, të cilët dënonin dhunën dhe kërkonin mospërsëritjen e rasteve të tilla.

Keqtrajtimi i romëve u dënua edhe nga kryeministri i vendit, ndërsa u kërkua një hetim i plotë i kësaj ngjarjeje.

Megjithatë, pas këtij skandali 120 romët vazhdojnë të mbeten të shpërndarë nëpër zona të ndryshme, të strehuar në mënyrë provizore tek të njohurit, edhe pse autoritetet janë angazhuar për t’u gjetur atyre një vendbanim.

Top Channel