Shkodër, ekzekutohen dy vëllezër

18/03/2011 20:40

Dy vëllezër nga fshati Grudë i Shkodrës, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi u ekzekutuan mëngjesin e së premtes sapo kanë dalë nga banesa e tyre. (UPDATE)

Ata ndodheshin automjetin e tyre kur u qëlluan për vdekje nga një breshëri automatiku.

Ngjarja ndodhi rreth orës 7:30 minuta në dalje të fshatit Grudë.

Autori e kësaj vrasje të dyfishtë kanë mundur të largohet, ndërsa policia në vendin e ngjarjes ka nisur të marrë të dhënat për të identifikuar se kush qëlloi mbi Gjovalin dhe Tonin Pjetrushi, 31 dhe 25 vjeç.

Sapo u mësua emri viktimave, policia nisi të hetojë në lidhje me një pistë të mundshme të gjakmarrjes.

Dy viktimat janë vëllezërit e Prel Pjetrushit, dikur oficer policie dhe shefi krimeve në Shkodër, i plagosur disa vite më parë nga shtetasi Admir Tafili, i cili u arrestua për këtë ngjarje, por arriti të arratisej në 2 tetor të 2010-ës, duke përfituar nga një leje që kishte marrë në burgun e Shën Kollit, për të vizituar familjen.

Që nga 2 tetori Tafili ishte një ndër prej më të kërkuarve në Shqipëri, por ai ra në gjurmë të policisë, vetëm pas vrasjes se dy vëllezërve, që mesa duket ka qenë një prej arsyeve kryesore të largimit nga burgu.

Pas të dhënave paraprake që kishte policia e Shkodrës për një banesë në periferi të Tiranës, ku dyshohej se mund të fshihej 35 vjeçari, drejtoria e përgjithshme e policisë organizoi një aksion të forcave RENEA, të cilat kryen rreth orës 18 e 25 minuta edhe arrestimin e tij.

Arsyeja e kësaj gjakmarrjeje të vjetër nis fill me një operacion policor për arrestimin e të atit të tij, Bajri dhe djalit Genci.

Në këtë operacion mbeti i vrarë drejtori i policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari si edhe i ati i Admir Tafilit.

Për vrasjen e të atit, familjarët bënë fajtor Pjetrushin, të cilin në 2001, Admir Tafili, u përpoq ta vrasë.

Më pas u arrestua për plagosjen e rëndë të tij dhe kreu shtatë vjet burg deri në vitin e kaluar dhe kur mundi të arratisej.

Arrestimin e tij dhe akuzën si të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në mëngjesin e të premtes e zyrtarizoi edhe drejtoria e përgjithshme e policisë me anë të një komunikimi për median.

Top Channel