Romët në zyrën e Berishës

18/03/2011 19:55

Një përfaqësi e komunitetit rom i përcollën kryeministrit Sali Berisha shqetësimet e tyre pas prishjes së kampit rom në periferi të Tiranës.

“Në atë zonë banoj prej 11 vjetësh dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme të tilla”, shprehet Ardian Nuredini, banor i kampit të shkatërruar rom.

“Shqetësim dhe keqardhje për dhunën e ushtruar ndaj banorëve romë. Është një akt i shëmtuar”, deklaron Skënder Veliu, kryetar i Unionit AMARO-Rom.

Për kryeministrin shkatërrimi i kampit është një akt i pastër racizmi. Si i tillë, ai është i papranueshëm.

“Kam kërkuar menjëherë të gjenden autorët e atij akti të qartë racist dhe që nuk mund të pranohet. Policia e Shtetit i ka identifikuar dhe i ka ndalur ata. Jam i bindur se drejtësia do të thotë fjalën e saj. I kam dhënë porosi Ministrisë së Punëve Publike dhe Entit Kombëtar të Banesave që familjet që kanë qenë aty dhe që kanë humbur strehimin e tyre të sistemohen dhe të strehohen në kushte normale”, theksoi Berisha.

Biseda më pas vazhdoi me një diskutim më të gjerë mbi problemet e shumta me të cilat përballet komuniteti rom në Shqipëri, probleme që vështirësojnë integrimin e tyre në shoqëri.

Top Channel