Topi: Regjistrimi ok, jo spekulime

17/03/2011 17:50

Vizita zyrtare në Tiranë e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, përvec forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, që aspirojnë integrimin europian, ka shërbyer edhe për një aspekt tjetër. (UPDATE)

Në konferencën e përbashkët për shtyp, i pyetur nga një gazetar maqedonas, presidenti Bamir Topi është shprehur për herë të parë për cështjen e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri.

Megjithëse korniza ligjore për këtë proces ka hapur një debat të gjerë publik dhe Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar të shfuqizojë nenin e regjistrimit të popullsisë mbi bazën e kombësisë, presidenti Topi nuk ka shprehur kritika për ligjin e gjendjes civile, të dekretuar prej tij gati dy vjet më parë.

Por kreu i shtetit foli për veprime të qarqeve ultranacionaliste, të cilat sipas tij nuk do të tolerohen.

“Ndjeshmëria e madhe është sepse nga individë të qarqeve ultranacionaliste tentohet të bëhet një politike presioni dhe deformacioni të një procesi që duhet të jetë nacional dhe ligjor. Ky proces duhet të bazohet tek e drejta e njeriut për t’u shprehur i lirë dhe jo nën presion. Populli shqiptar dhe institucionet kanë koshiencë të plotë për këtë proces. Nuk do lejojmë që asnjë ultranacionalist të vijë dhe të deformojë këtë proces”, deklaroi Topi.

Nga ana tjetër, duke folur për respektimin e të drejtave të minoriteteve në Maqedoni, një vend multietnik ku minoriteti më i madh është ai shqiptar, presidenti Gjorgje Ivanov pranoi se ekzistojnë probleme, por se ato nuk vijnë nga mangësi ligjore, por nga persona që politizojnë cështje të caktuara.

“Shkaku nuk është Marrëveshja kornizë e Ohrit, sepse kjo marrëveshje tani është Kushtetutë dhe sic tha presidenti Topi, duhet të respektohet rendi kushtetues. Por, ende në hapësirat tona kemi persona që përpiqen të manipulojnë ndjenjat e njerëzve. Dhe ndihet një tendencë e këtyre personave që t’i mashtrojnë njerëzit në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Në kushte të tilla, cdo problem mund të politizohet. Prandaj, këto cështje duhet t’i zgjidhin insitucionet, duke informuar në kohë për arsyet apo shkaqet e ngjarjeve të tilla”, u shpreh Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë mbajti edhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ku foli për përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve për të përshpejtuar rrugën e integrimit europian dhe arritjen e të gjitha standarteve.

Në të njëjtën fryme ishte edhe takimi me kryeministrin Sali Berisha, ku vec të tjerash është biseduar edhe për investimet që të dyja vendet po bëjnë për të krijuar më shumë mundësi për shkëmbime ekonomike. Kryeministri Berisha i bëri të ditur presidentit Ivanov se në 18 muaj, qeveria shqiptare do të përfundojë autostradën Tiranë-Elbasan, që shkurton me 100 km distancën mes Tiranës dhe Shkupit.

Top Channel