Miratohet ligji i “tollonit”

17/03/2011 20:05

Kuvendi miratoi ligjin e ri për ndihmën sociale, i cili parashikon për herë të parë vec kompensimit me para edhe atë me mall për familjet në nevojë.

Votimi i ligjit u parapri nga debate të forta mes opozitës dhe maxhorancës.

“E dini sa janë pagesat që garantohen nga këto ndryshime që paraqiten? Një ndihmë e madhe që qeveria po u jep shtresave në nevojë, që fillojnë me 300 lekë të reja dhe vijojnë me 600 dhe përfundojnë me 3 mijë. Vetëm kaq. Mos bëni thirrje për konsensus për të tilla pagesa”, deklaroi deputeti i PS, Erjon Brace.

“Para se të qani këtu për shtresat në nevojë, shikoni ca keni bërë kur ishit vetë në qeveri. Krahasoni shifrat, janë dy herë më të larta. Zotëri, mos bëj demagogji”, iu përgjigj atij Sherefedin Shehu.

Opozita thotë se gjendja e shtresave në nevojë është e mjerueshme dhe skema e ndihmës nuk e përmirëson atë.

“Skema aktuale vetëm shpërndan varfërinë anekënd Shqipërisë. Do të doja që këtu të ishte kryeministri, që ta pyesja se, si ka mundësi që ti merr 2200 dollarë rrogë, kur qytetarët marrin 2 dollarë në ditë”, replikoi Brace.

Ndërsa Selami Xhepa u shpreh se ekonomia shqiptare e ka të pamundur të japë më shumë para për qëllime sociale nga sa jep aktualisht.

“A mund të paguhet më shumë se 150 milionë euro? Nëse mendoni se shoqëria ka mundësi të tërheqë më shumë para, mua më duket e tepërt. Dua t’ju kujtoj thënien e vjetër: ‘të gjithë duan të jetojnë mbi kurrizin e qeverisë, por harrohet se qeveria jeton mbi kurizin tonë’”, tha Xhepa.

Shqipëria ka rreth 98 mijë familje të cilat përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike.

Top Channel