Meta: Të largojmë tiranin e kryeqytetit

17/03/2011 18:30

Kryetari i LSI, Ilir Meta në një miting në Pallatin e Kongreseve ka prezantuar kandidatët e partisë së tij për 4 njësi bashkake në Tiranë në zgjedhjet lokale të 8 majit.

Gjatë prezantimit, Meta ka hedhur një seri akuzash ndaj kryetarit aktual të bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, i cili do të kandidojë sërish për këtë post.

“Nëse ka ndonjë qytet ku fëmijët nuk kanë ku të luajnë, ai është Tirana. Nëse ka ndonjë qytet ku shëndeti i banorëve është më i rrezikuar se kudo, është Tirana. Nëse ka ndonjë qytet ku ai që është zgjedhur për të zgjidhur hallet e qytetarëve e shfrytëzon buxhetin pa u miratuar nga këshilli, është Tirana”, ka akuzuar Meta.

Ish-zëvendëskryeministri e ka cilësuar Ramën si një “tiran”, arsye për të cilën sipas tij më 8 maj ai duhet larguar.

“Nëse ka ndonjë qytet që qeveriset me tirani nga ai që është zgjedhur, është Tirana. Ndaj, erdhi koha që qytetarët e Tiranës të ndahen me tiranin e Tiranës. Erdhi koha që buxheti prej dsia dhjetra e qindra milionë euro të kontrollohet dhe të investohet për të zgjidhur problemet e Tiranës dhe jo për të sponsorizuar manifestimet që djegin e shkatërrojnë kryeqytetin tonë”, ka pohuar Meta, i cili e ka cilësuar Ramën edhe përgjegjës për ngjarjen e 21 janarit, ku katër persona humbën jetën.

“Erdhi koha që qytetarët e Tiranës t’i japin përgjigjen e merituar atij që i solli qytetit të tij të premtet e zeza. Prej disa muajsh, e premtja nuk është më një ditë e dashur për qytetarët e Tiranës, por është kthyer në një e premte e zezë për ta, në një ditë ku mijëra biznese mbyllen pa filluar dita nga frika e shkatërrimit të protestuesve të sjellë me lekë në Tiranë”, është shprehur Meta.

Në fund të fjalimit të tij kreu i LSI ka bërë thirrje për votimin e LSI për njësitë bashkiake dhe për kandidatin e përbashkët me PD për bashkinë e Tiranës.

“Më 8 maj të ndahemi edhe me periudhën e betonizimit, për të nisur me fazën e gjelbërimit dhe lulëzimit të kryeqytetit. Prandaj më 8 maj të votohet për LSI. Kandidatët tanë do të fitojnë në të gjitha njësitë vendore, ndërsa kandidati i aleancës për qytetarin do të fitojë më 8 maj me 40 mijë vota diferencë”, ka shtuar Meta.

Top Channel