Kuvend, PS denoncon naftën dhe zgjedhjet

17/03/2011 16:20

Gjatë seancës parlamentare, Partia Socialiste ka akuzuar sërish mazhorancën se po përgatit manipulimin e zgjedhjeve lokale.

Në fjalën e tij, deputeti Armando Subashi ka bërë përgjegjës për këto manipulime kreun e KQZ, Arben Ristani, për të cilin ka paralajmëruar një padi penale.

“Do depozitojmë në prokurori kallëzim penal për Ristanin. Në lista ka dublime, nga kontrollet kanë rezultuar 30 mijë dublime, shumica e të cilave në Tiranë, në njësitë bashkiake të drejtuara nga PD dhe LSI. Gjithashtu, po ndërhyet posacërisht në të dhënat e gjëndjes civile. I bëjmë thirrje Berishës, Bashës, Ponit dhe Ristanit që të heqin dorë nga skenari ogurzi për zgjedhjet”, ka deklaruar Subashi.

Ndërsa deputeti tjetër socialist Besnik Bare ka denoncuar dëmet që sipas tij shkakton për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve përdorimi i naftës “vergine”.

Sipas Bare, substancat që lëshohen nga përdorimi i kësaj nafte në mjedisin shqiptar kanë kaluar cdo masë të lejueshme.

“Përmbajtja e dioksidit të squfurit në mjedis është më e lartë krahasuar me vendet e BE-së. Edhe përmbajtja e hidrokarbureve toksike dhe kancerogjene kanë ardhur në rritje në qytetet e Shqipërisë. Kjo është e lidhur se ky lloj gjysmëprodukti që nuk duhet të tregtohet sjell këtë shqetësim kaq të madh, që e pranon edhe kryeministri. Në 6 vitet e fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, ky trend ka ardhur duke u rritur”, ka deklaruar Bare.

Top Channel