Kuvend, miratohet komisioni hetimor

17/03/2011 19:50

Kuvendi miratoi me 116 vota pro, 1 kundër dhe 4 abstenime ngritjen e komisionit hetimor për veprimtarinë e Kuvendit. (UPDATE)

Kërkesa ishte depozituar nga socialistët dhe për ngritjen e komisionit ishte rënë dakort në konferencën e kryetarëve ditën e martë.

Objekti i këtij komisioni do të jetë hetimi i organeve drejtuese të Kuvendit për sa u përket detyrimeve që lindin nga zbatimi i Rregullores, hetimi i veprimtarisë së administratës, i funksionimit të stafit ndihmës, etj.

Komisioni hetimor do të përbëhet nga 11 deputetë, 5 për pakicën dhe 6 për shumicën parlamentare. Partinë Socialiste do ta përfaqësojnë deputetët Erjon Braçe, Ilir Beqja, Arben Isaraj, Damian Gjiknuri e Saimir Tahiri.

Kurse shumicën Jemin Gjana, Edmond Spaho, Arenca Trashani, Fatos Beja, Edi Paloka e Paulina Hoti.

Kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë 3 muaj. Kjo kërkesë e opozitës u formulua pas ngritjes së komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit.

Por nuk është hera e parë që opozita akuzon kryetaren e Kuvendit për keqfunksionimin e Parlamentit, akuza që kanë gjetur vend edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Top Channel