Forumi civil: Rikompozim komisioneve

16/03/2011 21:30

Forumi civil, ku spikasin figurat e dy ish-presidentëve Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, paraqitën sot pasdite disa propozime konkrete për ndryshime në administrimin e zgjedhjeve.

Sipas forumit, rikompozimi i komisioneve zgjedhore, nga niveli qendror në nivel lokal me përfaqësues jopartiakë do t’i bëjë komisionet më të përgjegjshme për zbatimin e ligjit.

Kurse rikompozimi i KQZ-së mund t’i lihet një komisioni të pavarur ad-hok, të caktuar nga presidenti i republikës.

Për t’i dhënë solemnitet detyrës që marrin përsipër, komisionerët duhet të betohen: anëtarët e KQZ-së përpara Kuvendit, kurse të tjerët përpara gjykatave të Apelit, sipas rretheve që mbulojnë.

Për të eleminuar defektet dhe anomalitë e vërejtura në zonat rurale, Forumi civil sugjeron që qendrat e votimit të mos vendosen në cdo fshat, por në qëndrat e komunave.

Dhe së fundmi, për t’i bërë të besueshme kartat e identitetit që paraqiten nga votuesit, cdo qendër votimi duhet të pajiset me aparat për verifikimin e tyre.

Forumi civil mendon se nëse ekziston vullneti politik, këto ndryshime janë të mundshme edhe për zgjedhjet e 8 majit.

Top Channel