Basha: Kamera në cdo shkollë

16/03/2011 15:55

Në ditët e tij të fundit në detyrën e Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha ka kërkuar nga policia shqiptare që vitit 2011 të jetë viti i luftës së policisë ndaj atyre që u shesin bimë dhe lëndë narkotike fëmijëve shqiptarë.

Duke lënë një porosi të vecantë për Tiranën në vazhdën e fushatës së tij elektorale, si kandidat për bashkinë e kryeqytetit, Basha ka kërkuar sistem monitorimi për cdo shkollë.

“Si ministër i Brendshëm kam një kërkesë, që 2011 të jetë viti i tolerancës zero për ata që u shpërndajnë këtë helm fëmijëve tanë, sidomos në Tiranë ku ka numrin më të madh të shkollave. Nuk do ketë kamera në gjithë Tiranën, por do të ketë në cdo shkollë të Tiranës”, ka deklaruar Basha.

Gjatë prezantimit të strategjisë kundër narkotikëve për vitin 2011 ishte i pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Wolfarth, i cili vlerësoi faktin se Shqipëria reduktoi me 50 për qind kultivimin e bimës narkotike.

Por ndaj deklaratës së Bashës ka reaguar Partia Socialiste, e cila është shprehur se ministri nuk mund të flasë për luftë kundër krimit, kur sipas saj është ai që i kryen ato.

“Flet për luftën ndaj drogës dhe krimit Lulzim Basha, që akuzohet për vjedhje dhe vrasje, që nëndrejtor të përgjithshëm të policisë ka ish-badigardin e Saliut, që akuzohet për kontrabandën e naftës. Kurrë më nuk do lejohen Saliu dhe Luli të vjedhin. Kurrë më nuk do të votojnë shqiptarët Saliun dhe Lulin”, ka deklaruar zëdhënësja e PS, Megi Ajtyresa.

Top Channel