Zvarritja e proçeseve gjyqësore

11/03/2011 16:20

Gjatë një tryeze për reformimin e Kodit të Proçedurës Penale, ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu ka deklaruar se sistemi duhet ndryshuar për shkak se gjyqet zgjaten me vite. (UPDATE)

Diplomati amerikan deklaroi se disa kufij kohorë pengojnë hetimet për çështjet e korrupsionit dhe krimet financiare.

“Disa afate kohore janë të nevojshme për të mos shkuar hetimet pa fund. Sistemi i tanishëm nxit hetime të nxituara, ekzistenca e të cilave u duhet bërë e ditur subjekteve përpara se të përfundojnë. Ky sistem duhet ndryshuar. Së dyti shumë çështje penale kërkojnë muaj për të përfunduar për një numër arsyesh. Gjyqet nuk janë të vazhdueshme dhe fillojnë në seanca të planifikuara në mënyrë sporadike. Gjyqtarët kanë pak pushtet apo autoritet për të detyruar palët, avokatët apo prokurorët, për t’u paraqitur në çdo seancë dhe nuk ka rregulla konkretet për administrimin e provave që të përcaktojnë se çfarë duhet të shqyrtojë gjykata për të vendosur përfundimin”, është shprehur Arvizu.

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka mbështetur pikërisht tre arsyet, e dhëna nga ambasadori amerikan për ndryshim në sistemin ligjor, ndërkohë që ka kërkuar me forcë që një prokurori t’i jepet e drejta e ushtrimit të ndjekjes penale ndaj kujtdo.

Prokurorja e përgjithshme shkon edhe më tej, në sugjerimet e saj kur kërkoi edhe përgjim për njerëzit me imunitet në momentin që ata dyshohen për një vepër të caktuar penale.

“Problematika e parë që do të rendisja do të ishte imuniteti. Është një institucion që meriton të trajtohet seriozisht në të gjithë problematikën e tij, shoqëruar me nevojën për ndryshime në definimin e tij ligjor. Prokurori duhet të jetë i lirë të kryejë hetime duke përdorur metodat speciale të hetimit, edhe ndaj një personi me imunitet, në mënyrë që të mbledhë ato prova të cilat mund të merren vetëm nëpërmjet një hetimi të fshehtë”, është shprehur Rama.

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani thkesoi se duhet patur parasysh se nuk është faji vetëm tek ligjet, por edhe tek vetë gjyqtarët apo prokurorët që nuk përcjellin besim në shoqërinë shqiptare.

“Sot besimi i cunguar i publikut tek drejtësia lidhet kryesisht me sjelljen profesionale dhe etike të individëve që përfaqësojnë sistemin gjyqësor, gjyqtarë apo prokurorë, dhe që veprojnë dhe marrin vendime në emër të këtij pushteti”, tha Nishani.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu është shprehur pro heqjes të imunitetit të gjyqtarëve, ndërsa i është rikthyer edhe njëherë çështjes “Gërdeci”.

Top Channel