Fshatrat turistikë, Xhaferraj: Nuk kam përfituar

10/03/2011 11:50

Ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferraj ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se nga ligji për ndërtimin e fshatrave turistikë kanë përfituar ministra dhe të afërm të zyrtarëve të lartë në vend.

I pyetur në Kuvend nga deputeti socialist Erion Braçe, nëse nga ky ligj i miratuar në 2009-n dhe i sjell sot për amendim, ka përfituar vajza e kryeministri Berisha apo edhe vetë ministri Xhaferraj, ky i fundit ka mohuar akuzat.

“Jo vetëm që nuk përfitoj, por të jesh i bindur se asnjëherë kjo nuk do të ndodhë”, është shprehur ministri.

“Të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë me paketën e shpifjeve që lidhët me djalin e kryeministrit që me shumë turp dolët me bisht në shalë se doli një tjetër Shkëlzen Berisha. Ju mundoheni të sajoni skenarë shpifjesh. Me këtë ligj po ju shplajmë dhe ju. Nga ky ligj përfitojnë të gjithë zyrtarë, ministra dhe ish ministra të asaj kohe që në vend të fshatrave turistikë, ndërtuan vila private”, tha Xhaferraj.

Deputeti Braçe ka akuzuar për përfitim nga ndërtimi i fshatrave turistikë, edhe ish zëvendëskryeministrin Ilir Meta, ministrin e Financave Bode, ministrin e Mjedisit Mediu, ministrin e Mbrojtjes Imami, ish ministrin e Bujqësisë Lufter Xhuveli, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Fullani si dhe ministrin e Brendshëm Basha.

Top Channel