Berisha: Amnisti fiskale për biznesin

09/03/2011 11:45

Kryeministri Sali Berisha ka bërë publike nismën e qeverisë për të bërë aministi fiskale ndaj biznesit gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Financave përgatitjen sa më të shpejt të projektligjit i cili duhet të përjashtojë bizneset me mbështetje politike dhe ato me para të nxjerra me origjinë jobiznesi.

Duke qenë se amnistia kërkon 3/5 e votave në Parlament, kryeministri ka kërkuar të përgatitet edhe një variant i dytë për falje, nëse opozita nuk e voton variantin e parë.

“Është një proçes që e kemi nisur disa muaj më parë dhe vende të mëdha si SHBA apo vende të tjera, aplikojnë amnistinë fiskale. Kam shumë kënaqësi që ne të aplikojmë amnistinë fiskale për të gjitha bizneset me përjashtim të atyre të lidhura me pushtetarë apo ish pushtetarë. Këto biznese nuk do të përfshihen në amnisti. Ministria e Financave do bëj kujdes të madh që në projekligjin që do i dërgojë sa më shpejt parlamentit, të parandalohet mundësia e amnistimit së trafiqeve, të drogës, parave të cilat janë me origjinë jobiznesi”, deklaroi Berisha.

“Amnistia kërkon 3/5 si kusht për t’u votuar. Në këtë kontekst unë ftoj opozitën të shqyrtojë projektin e qeverisë, të amendojë këtë projekt mbi bazën e platformës që ka dhe ta votojë. Duke ditur qëllimet konstante obstruksioniste të mbajtura prej saj, ne duhet të përgatitemi në dy variante, varianti i amnistisë dhe faljes. Falja do të jetë për të gjitha detyrimet, gjobat dhe detyrimet e prapambetura. Falja duhet të jetë një shans i ri për të gjitha bizneset dhe në deklarimin e punëtorëve që kanë në mënyrë që të krijohet një mundësi e re për një formalizim më të madh”, tha Berisha.

“Do doja që kjo të orientohej për biznesin e vogël. Nuk e bëj këtë për politikë, por 80% e të punësuarve në këtë vend janë në këtë biznes. Ky është edhe gjeneratori kryesor i punësimit”, theksoi ai.

Top Channel