Topi: Gruaja, rol jetik në shoqëri

08/03/2011 10:45

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me rastin e 8 marsit, ka vlerësuar rolin e gruas në shoqërinë shqiptare.

Në një takim të zhvilluar në selinë e presidencës me përfaqësueset e projektit “Gratë në vendimmarrje”, Topi ka deklaruar se pjesëmarrja e gruas në institucionet shtetërore ka dhënë efektet e saj pozitive.

“Është bërë një progres në shoqërinë tonë, sa që ne kemi vështirësi ta dallojmë atë cdo ditë. Ne vlerësojmë pjesëmarrjen e gruas në të gjitha nivelet. Unë do ta vlerësoja të gjithë impenjimin tuaj”, ka deklaruar Topi.

Megjithatë, kreu i shtetit është shprehur i vetëdijshëm për problemet që kanë gratë, në vecanti me dhunën që ushtrohet ndaj tyre. Ai ka kërkuar nga institucionet që të zbatojnë me rigorozitet ligjin ndaj individëve që ngrenë dorë ndaj grave.

“Sot është dita për të kujtuar një nënë, që brenda një nate humbi jetën e 4 fëmijëve të saj, të kujtojmë një juriste të nderuar që u vra barbarisht. Të bëjmë që këto drama t’i shikojmë sa më rrallë të jetë e mundur. Dhuna ndaj grave duhet trajtuar nga institucionet si një problem ndaj të cilit duhen aplikuar ligje të forta”, ka shtuar Topi.

Top Channel