Humb 275 milionë $ në poker, shkon në burg

08/03/2011 20:50

Një amerikan i quajtur Jeremy Johnson u shndërrua në protagonist të një historie me të vërtetë të veçantë, pasi humbi 275 milion dollarë në poker, përpara se të përfundonte në burg.

Nëse nuk do të kishte këtë pasion që e rënoi, Johnson do të kujtohej vetëm si një “gjeni” i mashtrimit dhe i informatikës.

Në fakt, përpara disa vitesh, ai krijoi së bashku me një ortak dy faqe interneti, “Works” dhe “Elite”, të cilat ofronin shërbime të rreme në internet. Njerëzit vazhdonin të paguanin, ndërsa Johnson nuk përmbushte asnjë prej këtyre shërbimeve.

Ai kishte mundur të grumbullonte në disa vjet 275 milion dollarë, pa u zbuluar asnjëherë marifetet e tij.

I bërë milioner, ai vendosi t’i dedikonte të gjithë fitimet pasionit të vetëm ku nuk kishte asnjë talent, pokerit. Në pak vite, ai shpenzoi të gjithë pasurinë e tij duke luajtur me më të mirët.

Disa milionë të kësaj shume, lojtari “i sëmurë” i humbi në kazinotë e Filipinës, Teksasit dhe Las Vegasit. Pjesën tjetër, e humbi në ndeshjet në internet dhe në ato live, me disa prej emrave më të mëdhenj të pokerit në botë.

Megjithatë, kjo lëvizje kaq e madhe shumash bëri policinë që të hetonte rreth biznesit të tij. Kështu, hetimi nxorri në dritë mashtrimin dhe tani, Jeremy Johnson mund të luajë poker me të burgosit e tjerë, për qindarka apo pa para.

Top Channel