8 marsi, PS protestë para kryeministrisë

08/03/2011 11:35

Deputetet e Partisë Socialiste, të bashkuara me gra të shoqërisë civile, e kanë kujtuar me një protestë para kyreministrisë ditën e 8 marsit.

Deputetja Vasilika Hysi, nga një podium i vendosur para selisë së qeverisë, ka akuzuar kryeministrin për gjendjen e rëndë në të cilan ndodhen sot gratë shqiptare.

“Sot gratë shqiptare protestojnë për të drejtat e tyre që janë të shkelura dhe të mohuara. Ne protestojmë për të gjitha gratë, të cilat kanë vendosur vellon e zezë pasi vëllezërit dhe bashkëshortët e tyre janë vrarë në protestë dhe në miniera. Sot ne protestojmë për nënat që nuk kanë bukë për fëmijët e tyre, për papunësinë, varfërinë, korrupsionin, diskriminimin në tregun e punës në Kuvend, në rrugë e në cdo hap të jetës”, ka deklaruar Hysi.

Deputetja u ka bërë thirrje grave shqiptare, që të lënë mënjanë bindjet politike dhe të bashkohen për të fituar respektimin e të drejtave të tyre nga qeveria, që sipas saj i shkel ato.

“Ne protestojmë për ato nëna që nuk blejnë dot ilacet e tyre, për ato nëna që nuk mjekojnë dot fëmijët e tyre. Të gjitha nëna, motra dhe gra, pavarësisht bindjeve politike, le ta kthejmë 8 marsin në një ditë proteste për të drejtat tona ndaj kësaj qeverie”, ka shtuar Hysi.

Të njëjtin mesazh kanë përcjellë edhe deputetet e tjera të PS si Shegushe Ligori, Mimi Kodheli, Arta Dade, Olta Xhacka, etj. 

Top Channel