Zgjedhjet, PS të martën në KQZ

07/03/2011 16:10

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të hënën regjistrimin e 11 partive të tjera për zgjedhjet lokale të 8 majit.

Binte në sy regjistrimi i LSI-së, apo i Partisë Demokristiane, që është aleate e Partisë Socialiste.

Por vetë Partia Socialiste dhe aleatët e tjerë të saj, deri në përfundim të kësaj mbledhjeje nuk kishin dorëzuar kërkesa për regjistrim në protokollin e KQZ-së.

Pikëpyetja për pjesëmarrjen e socialistëve mbetej e hapur. Në fakt, burime të rezervuara thanë për Top Channel se PS do të regjistrohet ditën e martë, duke respektuar afatin që përcakton Kodi Zgjedhor.

Në bazë të kodit, afati i regjistrimit të forcave politike është 60 ditë nga data e zgjedhjeve, që është pra dita e martë 8 mars.

Pritet që po të martën, këtë vendim të socialistëve ta ndjekin edhe aleatët e tjerë të tyre. E megjithatë, të njëjtat burime nga Partia Socialiste thonë se megjithë regjistrimin ditën e fundit, por brenda afatit, PS nuk do të marrë pjesë ende në cështjet teknike të administrimit të zgjedhjeve.

Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk kanë dorëzuar komisionerët për komisionet e nivelit të dytë, KZAZ-të, të cilat KQZ i plotësoi me anëtarë jashtë politikës dhe njoftoi ngritjen e tyre të djelën.

Vetë Edi Rama në fundjavë deklaroi në Athinë se bojkoti i zgjedhjeve nga PS nuk është një opsion. Por zoti Rama nënvizoi nevojën e garancive që në këto zgjedhje nuk do të përsëriten problemet dhe defektet që u panë në zgjedhjet e 2009-ës.

Deri më tani, publikisht socialistët kanë formuluar 3 kërkesa: listat e zgjedhësve, letërnjoftimet dhe rikompozimin e KQZ-së.

Ndërkohë, në pritje të mbledhjes së të martës dhe regjistrimit të partive të opozitës, numri i subjekteve të regjistruara në KQZ deri të hënën ka mbërritur në 37. Cka është më pak se në zgjedhjet e fundit lokale të 2007, ku u regjistruan 48.

Top Channel