Xhufi: Regjistrimi, rrënjë të hershme

07/03/2011 21:55

Sipas historianit të njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, interesat e Greqisë për të imponuar regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare i kanë rrënjët që në vitin 1913.

“Kjo histori daton që nga pushtimi grek dhe që në 1913-ën kryeministri grek ka kërkuar të bëhet një plebishit në zonat jugore të Shqipërisë”, ka deklaruar Xhufi.

“U pushtua camëria, që është quajtur në atë kohë Shqipëria e Poshtme, dhe pastaj doli termi Epir. U tha që u pushtua Epiri i Jugut dhe u tha që ka mbetur për t’u pushtuar Vorio Epiri”, ka vijuar ai.

Më tej Xhufi ka treguar edhe nismën e qeverisë greke që në konferencën e paqes në Paris, të vendoste regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare në Shqipëri.

“Autoritetet greke Venizellos i thanë që të bënte plebishitin se me kë banorët donin të bashkoheshin. Por konferenca e paqes në Paris nuk e pranoi, edhe pse pjesën e luanit e kishte kryeministri francez Klemanso, që ishte edhe aleat i Venizellos”, ka treguar Xhufi.

“Ata vunë një kriter të qartë, këtu do vendoset kufiri duke u bazuar mbi përbërjen etnike. Gjuha ka qenë kriteri kryesor dhe u tha se banorët flisnin shqip. Sot kjo cështje është rikthyer”, ka shtuar historiani.

Top Channel