Arvizu viziton Top Channel dhe TAR

07/03/2011 19:35

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Aleksandër Arvizu ka vizituar të hënën pasdite zyrat dhe ambientet qendrore të Top Channel, në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës.

Ambasadori Arvizu, i shoqëruar nga zonja Elisabet Luis, Atashe i Shtypit dhe Kulturës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara janë njohur fillimisht me ambientet ku Top Channel zhvillon një pjesë të rëndësishme të aktivitetit, duke u ndaluar në studiot e Departamentit të Informacionit dhe ato të emisionit Fiks Fare, të cilat ndodhen në këtë godinë.

Zoti Arvizu është takuar me gazetarët e Top Channel, ndërsa është njohur nga afër me punën e tyre. Ambasadori Arvizu ka marrë informacion edhe për emisionet e tjera që realizohen nga Top Channel, teksa ka vizituar ambientet dhe një pjesë të studiove në këtë godinë të televizionit.

Pas vizitës së shkurtër në ambientet dhe studiot e televizionit, ambasadori Arvizu, është takuar më tej me presidenten e Top Media Grup. zonjën Vjollca Hoxha dhe drejtuesit kryesorë të Top Channel.

Zoti Arvizu ka shprehur vlerësimin për punën dhe arritjet e deritanishme të televizionit dhe ka kërkuar të njihet më gjërësisht me aktivitetin dhe problematikën e tij.

Gjatë këtij takimi, drejtuesit e televizionit e kanë njohur dhe informuar zotin Arvizu dhe stafin e tij me një pasqyrë të gjerë të aktivitetit të përditshëm të televizionit, programet e larmishme të tij dhe problematikën me të cilën Top Channel është përballur dhe po përballet cdo ditë.

Ambasadori Arvizu është njohur edhe me ambientet e Top Albania Radio, radios më të madhe kombëtare në vend, ku është informuar për aktivitetin dhe programet e saj.

Ambasadori Arvizu falenderoi për ekspozenë dhe shprehu mbështetjen që qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë dhe jep për zhvillimin e mediave të lira dhe të pavarura, si një gur themeli dhe një garanci për zhvillimin gjithashtu të një shoqërie të lirë dhe demokratike.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel