Cmimet e ushqimeve, OKB lëshon alarmin

04/03/2011 02:15

Organizata e Kombeve të Bashkuara lëshoi alarmin për rritjen e cmimit të ushqimeve në tregun global.

Cmimet e ushqimeve kapën majat, duke shënuar një tjetër rekord global, thotë OKB, por më e keqja është se ato mund të rriten sërish.

Në indeksin e OKB-së, cmimet e mallrave ushqimorë u rritën në mbarë globin mesatarisht me 2.2 përqind vetëm për muajin shkurt, shifra më e lartë që kur Organizata e Ushqimit dhe e Agrikultrës (FAO) nisi monitorimin e cmimeve në tregjet globale në vitin 1990.

Në raportin e FAO-s situatën e bën më të zymtë edhe rritja cmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, cka mund të ndikojë edhe tek rritja e cmimit të ushqimeve.

Sipas të dhënave, cmimet e drithërave, si orizi, gruri dhe misri janë rritur me 70 përqind në vitin 2010.

Ndërkohë, për rritjen e cmimit të ushqimeve është shprehur i shqetësuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN thekson se kriza e cmimeve do të prekë më së shumti vendet e varfëra, por jo vetëm.

Top Channel